Avokati Romeo Kara komentoi në studion e ‘Ora e Fundit’ dosjen e ish presidentit Meta, në të cilën Apeli i Posacëm do të vendosi në datën 8 shtator lidhur me lirimin ose jo të tij. Kara tha se lirimi ose jo i tij ka të bëj me mundësinë e revokimit të masës së arrestit dhe se nëse prokuroria ka fakte që Meta mund të intimidojë procesin, atëherë nuk duhet të lihet në paraburgim.
“Lirimi ose jo ka të bëjë me mundësinë që të revokohet masa e arrestit, varet sesi Gjykata mund ta interpretojë ose varet dhe nga fijet që luhen pas proceseve të tilla. Kemi rastin e Berishës që u lejua të dalë nga arresti në shtëpi dhe sot vazhdon të kryejë intimidime ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke capëluar në mënyrë të hapur procesin e tij.
E vërtetuam që Gjykata dha një vendim të gabuar, nëse prokuroria ka me fakte dhe prova që Meta mund të intimidojë procesin atëherë nuk duhet të jetë në gjendjen e paraburgimit.”
Nga dyert e SPAK, Berisha quajti avokatë kriminelë Altin Dumanin dhe Irena Gjokën, koment të cilin avokati Kara e quajti si konsum të veprës penale. Avokati tha më tej se Berisha është simbol i së keqes dhe se vetë institucionet ja ushqejnë faktin që është mbi ligjin dhe sundimtar i tij.
“E keqja që simbolizohet me Berishën e ngre zërin më shumë sesa e mira që duket në minorancë. Ne po sundohemi nga një pakicë që tenton të serviret si një shumicë që një i akuzuar të ngrejë zërin dhe të bëj vepra penale.
Ato dënimet që jep Berisha pa gjyq, Gjykata ka qenë në shërbimin e tij. Ai ka kryer një kanosje për shkak të detyrës, ka konsumuar dy vepra penale dhe e përkëdhelin, ja ushqejnë se është mbi ligjin dhe është sundimtari.”