Shqipëria po vuan prej dekadash problematikën e bandave të rrezikshme kriminale, që kanë ‘mbjellë e korrur’ mijëra viktima në rrethana lufte mes tyre, trafiqesh, hakmarrjeje dhe deri në marrje jetësh të pafajshme.
Por shkaku kryesor i këtyre situatave ka qenë viti 1997 dhe autori i asaj tragjedie kombëtare ka një emër që është ende gjallë ditët e sotme: Sali Berisha!
Kjo ishte analiza e avokatit Edmond Petraj në “Studio Live” ditën e sotme, ku u diskutua për rrëfimin e të penduarit Artan Tafani në GJKKO për bandën e Laert Haxhiut në Lushnjë, luftën hakmarrëse të saj me organizatën e Aldo Bares, por edhe për grupet e tjera kriminale.
Petraj tha se këto banda u krijuan atëherë kur shteti kishte rënë, depot u hapën, armët ranë në duart e njerëzve dhe ende sot e kësaj dite shkaktojnë viktima dhe përdoren për larje hesapesh. Petraj ndau mendimin në Report TV se urdhëruesi për atë tragjedi është Berisha, i cili kërkoi edhe të sulmohej jugu, teksa rrëfeu edhe eksperienca personale të hidhura të asaj kohe.\
“Situata në Lushnjë vjen edhe për shkak të vitit 1997 dhe problematikave që solli ajo periudhë. Përballja e bandave mes tyre ishte realiteti i këtyre bandave dhe ngjarjeve që ndodhin edhe ditët e sotme. Ai që është shkaktari i asaj situate në 1997 është ende gjallë. E kam për zotin Berisha, që ka dhënë urdhër për t’i shtypur me hekur dhe zjarr, ka dhënë urdhër për bombardimin në dy zona në jug të vendit me avionë reaktivë të ngritur nga Kuçova. Kjo futi ndasinë e madhe veri-jug që në atë kohë.
E kam përjetuar vetë atë periudhë, me duart lartë për minuta të tëra, jo keni letra apo s’keni letra, e ku mund të humbje jetën. Ajo periudhë ishte shumë tragjike, që nëse do rihapet dhe hetohet e gjitha, shkon deri te nipër e stërnipër, sepse askush nuk ta fal. Nëse do ishte hapur e hetuar 97-a, nuk do kishim këto pasoja sot. Sot kemi ende armët e atij viti nëpër këmbë e që përdoren për krime nga më të ndryshmet. U vranë 3200 vetë në 1997, armët e atij viti nuk janë mbledhur akoma, përdoren për krime, lajnë hesape dhe kjo situatë do vazhdojë akoma. Ndërkohë që ky del akoma dhe shan Shqipërinë, ky nuk e do Shqipërinë”, u shpreh Petraj.
Petraj trajtoi edhe rastin për procesin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan prengës më 2020 nga kamza në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit, ku këmbënguli tek gjetja e provave. Kurse për zhdukjen e Ervis Martinajt, avokati nënvizoi se afatet ligjore kishin kaluar dhe duhet të ishte shpallur nga autoritetet i humbur përfundimisht apo i vdekur.
“Përsa i përket ngjarjes së rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, për sa kohë nuk ka kufomë, nuk ka edhe krim. Mund ta kenë kryer, por nëse nuk e fakton, nuk ka trup, nuk mund të vazhdosh ta akuzosh këtë person. Pra nuk ka prova, filmime konkrete. Po sikur nesër një person që mendohet i vrarë del i gjallë, çfarë ndodh? Nuk mund të bëhen hetime me defekte kaq të mëdha. Duhen prova reale, si gjurmët e ADN-së psh., apo fakte. E njëjta gjë ndodh edhe me rastin e Ervis Martinajt, aktualisht ai duhet të ishte shpallur i humbur, kanë kaluar më shumë se dy vite, kanë kaluar afatet e zhdukjes, e parashikon ligji. Organet duhet të ishin shprehur”, tha ai.