SHKRUAR NGA RIGELS SELIMAN
Partia Demokratike është besim plot se vendi do të shkojë në dy palë zgjedhje në vjeshtë. Thuajse një vit më parë opozita e bashkuar dogji mandatet, teksa doli në rrugë duke protestuar kundër qeverisë dhe kërkuar zgjedhje të parakohshme. Por pavarësisht kësaj rezistence dhe strategjie, asnjë nga kërkesat e opozitës nuk u plotësuan, duke bërë që shpresat të veniten.
Mirëpo, prej 14 janarit situata politike ka ndryshuar dhe palët kanë arritur një farë “armëpushim”, pasi si mazhoranca, ashtu edhe opozita janë ulur në tryezën e dialogut sa i takon reformës zgjedhore.
Basha mobilizon të vetët për zgjedhje në tetor
Por gazeta ka mësuar se PD është e bindur se miratimi i reformës zgjedhore do të testohet, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të parakohshme në tetor. Për këtë arsye kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur mobilizimin e të besuarve të vet, të cilët prej disa ditësh kanë zbritur në bazë dhe kanë nisur takimet me ta. Sipas informacioneve, mësohet se njerëzit e Bashës në këto takime kanë kërkuar nga baza që të mobilizohen, ndërsa i kanë garantuar se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, burime nga selia blu theksuan se lideri demokrat ua ka besuar këtë mision besnikëve të vet, për shkak se prej disa ditësh ka një sherr me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka kundërshtuar tërheqjen e Partisë Demokratike dhe vendimin e saj për t’u ulur në tryezën e dialogut me mazhorancën, e sidomos Damian Gjiknurin.
Kështu që, duke qenë se Basha i trembet një “puçi” nga ish-kryeministri Berisha, ka angazhuar të besuarit e tij për të përcjellë lajmin e tij në të katër anët e Shqipërisë, ndërkohë që shumë ish-deputetë që njihen si mbështetës të ish-liderit demokrat ka preferuar t’i lërë në hije për këto arsye. Po ashtu, mësohet se një tjetër arsye se përse Basha angazhon të besuarit e vetë, duke i deleguar në bazë dhe lë në hije njerëzit e Berishës, është fakti se nuk do që t’i rrjedhë informacione.
Në hije njerëzit e Berishës
Pra, në kushte kur Berisha nuk e kapërdin dot braktisjen e protestave dhe uljen në tryezë me socialistët, Basha ua ka besuar detyrën zyrtarëve që njihen si besnikë të vetë, për të qëndruar sa më shumë larg ish-kryeministrit. I pari që i është bindur porosisë së liderit demokrat, ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili njihet si besnik i kryedemokratit, ndërkohë që ka nisur takimet me bazën demokrate. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bardhi zbuloi dje se gjatë dy ditëve të fundit është takuar me qindra demokratë në zonën e Beratit dhe Korçës, ndërsa shoqërohej në këto takime nga ish-deputetët që janë tifozë të Bashës. Në reagimin e tij, Bardhi theksoi se PD është e vendosur për zgjedhje të lira e të ndershme. Pra, kjo tregon se Partia Demokratike është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas zyrtarëve të saj, do të ndodhin këtë vjeshtë.
Përplasje të forta në disa zona
Por vendimi i Bashës për t’u ulur në tryezën e dialogut me mazhorancën, duket se ka trazuar edhe ujërat në bazë. Gazeta ka mësuar se në disa takime që Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar në zona si Berati, Korça dhe Pogradeci, ka pasur përplasje të forta. Mësohet se njerëz që njihen si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha i kanë kërkuar llogari të deleguarve të PD se përse kjo forcë politike u ul në tryezën e dialogut me mazhorancën qeverisëse, ndërsa gjithashtu i kanë kërkuar llogari përse braktisi protestat. Megjithatë, i ndodhur përpara këtij “rebelimi”, mësohet se Bardhi ka qetësuar demokratët, duke u shprehur se protestat janë në axhendën e PD dhe liderit të saj dhe se për to do të vendoset në muajin shkurt. Madje, mësohet se Bardhi është shprehur se selia blu është gjithmonë në protestë me selinë rozë, pasi edhe denoncimet janë një lloj proteste.