Kështjella historike e Hillsborough-ut në Irlandën e Veriut do të jetë më 8 tetor skena e një takimi të nivelit të lartë të ministrave të jashtëm mbi Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Mbretëria e Bashkuar si pjesë e Procesit të Berlinit 2025.
Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, do të mirëpresë mbi 15 homologë evropianë, përfshirë përfaqësues nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, si dhe nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në takim do të marrin pjesë edhe Bashkimi Evropian dhe Danimarka, në rolin e Presidencës së radhës së BE-së.
Diskutimet do të fokusohen në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
“Kështjella e Hillsborough-ut mbart kujtime prekëse të fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë,” tha Lammy, duke theksuar se përvoja e Irlandës së Veriut dhe procesi i paqes aty mund të shërbejë si model për vendet e rajonit të Ballkanit.
Sekretarja e Shtetit për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, u shpreh se Marrëveshja e të Premtes së Mirë ka ofruar “një shembull të fuqishëm pajtimi për botën” dhe se kjo trashëgimi do të jetë e vlefshme për partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Takimi zhvillohet në një kohë tensionesh të rritura etnike dhe politike në rajon, ndërsa Londra po zgjeron bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-në për çështjet e sigurisë, ekonomisë dhe menaxhimit të kufijve.