Delvina vijon ende të përballet me zjarret. Gjatë pasdite së sotme, zjarri ka hyrë në fshatin Kalasë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga zjarri rrezikohen të digjen banesat.
Banorët kanë kërkuar edhe ndihmë nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit, i cili është nisur drejt fshatit Kalasë, ndërsa po shkojnë edhe 2 zjarrfikëse nga Himara të FA.
Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndodhet në zonën e Qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë në Bulqizë, në krye të operacionit për shuarjen e dy vatrave aktive të zjarrit. Ai konfirmoi se 35 trupa të FA janë angazhuar vetëm në këtë zonë.
Kingji tha se në koordinim me emergjencat civile dhe Agjencinë e Mbrojtjes Civile janë marrë të gjitha masat edhe për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.
‘Që në orët e para të mëngjesit jemi në zonën e Bulqizës, sepse jemi në rajonin e Qafës së Buallit ku jemi të angazhuar 35 forca pasi kemi dy vatra zjarri, njëra është këtu në Bulqizë dhe tjetra është në qafën e buallit. FA në zbatimin dhe koordinim të plotë me emergjencat civile po punojnë në gjithë qarqet e vendit. Në qarkun Dibër, jemi në Qafën e Buallit dhe Bulqizës, në Lezhë jemi në Rrëshen, në Vlorë jemi në Himarë, Piqeras dhe në Kaninë. Në Berat kemi në Galinë, në Gjirokastër në Fushë- Bardhë dhe në qarkun e Korçës jemi në Pustec. Nëse do të kërkohet evakuim janë marr masat e plota. Jemi në kordinim edhe me agjencinë e mbrojtjes civile, FA janë të angazhuar në përballimin me sukses të kësaj situate’, tha ai.