Afati po mbaron për Sali Berishën. Doktori po i reziston nenit Basha, por koha nuk është në favor të tij. Një pikë tjetër brenda nenit, vetëm dy reshta sipër, i kujton doktorit se mandat i tij është 4-vjeçar dhe duhet të përfundojë më 22 maj të vitit 2026.
Edhe 10 muaj kanë mbetur nga ajo datë, dhe Berisha duhet të rihyjë në zgjedhje për kryetar, por brenda të njëjtit nen i del dhe “BASHA” që nuk e lejon më të kandidojë pasi ka humbur zgjedhjet.
“Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të fshehtë të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH. Mandati i kryetarit është katër vjet”, thuhet në pikën e gjashtë.
“Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”, thuhet në pikën tetë.
Doktori e ka provuar me kohë se nuk respekton statutin me të cilin premtoi rithemelimin, por tani është në kurthin qe ngriti vetë. Nëse nuk pranon nenin Basha, do të duhet as të mos bëjë zgjedhje? A mos janë kështu zgjedhjet farsë edhe brenda PD?
Pas primareve dhe karriges së tij, Berisha po mban nën frikën e mosrespektimit të statutit, edhe gjithë kupolën e PD, të vjetër e të rinj.
Kryesia pritet të spastrohet. Nga anëtarët aktualë vetëm 18 u zgjodhën deputetë, kurse të tjerët do të varen nga humori i Sali Berishës. Ferdinand Xhaferaj pas rebelizmit ka valixhen gati, kurse Edmond Spaho i mërzitur doli në pension. Në ankth është edhe Ervin Salianji, që pas lirimit të vetmin post të mbetur ka atë në Kryesi. Të tjerët do të duhet të presin verdiktin.
Por është Kryesia ajo që zgjedh edhe postet e tjera, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët dhe gjithë drejtuesit e tjerë.
Më në siklet është Gazment Bardhi. Neni 51 i statutit e përcakton qartë se një prej nënkryetarëve është automatikisht dhe kreu i grupit parlamentar të PD. Bardhi i mban për momentin të dyja këto poste, por në shtator doktori me një gur mund të vrasë një zog për të fituar dy, e ta lërë Gaz Bardhin vetëm koleg të Zegjinesë në Kuvend.
Riformatim në mandatin e katërt opozitar do të ketë edhe në parlament. Salianji pa mandat smund të jetë më nënkryetar grupi, ndërsa beteja më e madhe është tek Komisioni i Ligjeve. Dhurata Çupi si nënkryetare do të duhet të lirojë vendin, por kush do e marrë?
Konkurrenca është e fortë, nga njëra anë vetë Oerd Bylykbashi ose Ivi Kaso, në rast se Berisha nuk do i angazhoje ne Reformë te re Zgjedhore, nga ana tjetër Gazment Bardhi, por me pretendime hyjne ne parlament kesaj radhe Arian Ndoja, Gjin Gjoni apo Gent Strazimiri .
Xhaferaj ikën nga nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, Zheni Gjergji nga Shëndetësia, por në pikëpyetje është dhe Jorida Tabaku, e cila mbajti dy poste drejtuese në Këshillin e Integrimit dhe Komisionin e Çështjeve Europiane. Nuk dihet nëse 20 mijë votat e saj, përkthehen në 2 poste te tjera drejtuese nga doktori. Te jesh me i votuari mund të jetë shperblim, por edhe ndëshkim. (ABC News)