Zëvendëspresidenti JD Vance do të ishte i favorizuar për të siguruar nominimin republikan për president në vitin 2028, tha presidenti Donald Trump të martën.
Trump ndodhej në auditorin e ‘South Court’ ku nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një task force për Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028, kur korrespondenti i vjetër i Shtëpisë së Bardhë për Fox News, Peter Doocy, e pyeti nëse Vance kishte gjasa të bëhej figura kryesore e lëvizjes “Make America Great Again” (Bëje Amerikën Sërish të Madhe), pasi Trump kishte deklaruar se nuk do të kandidonte për një mandat të tretë.
“A jeni dakord që pasardhësi i MAGA është JD Vance?” pyeti gazetari.
Në përgjigjen e tij, Trump vuri në dukje se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të bashkohej me JD Vance për të krijuar një dyshe të fuqishme.
“Eh, mendoj se ka shumë gjasa. Për të qenë i drejtë, ai është zëvendëspresidenti, dhe mendoj se edhe Marco është dikush që ndoshta do të bashkohej me JD në një formë apo tjetër,” u përgjigj Trump.
“Unë gjithashtu mendoj se kemi njerëz të jashtëzakonshëm, disa prej tyre janë në këtë skenë këtu. Prandaj është shumë herët, natyrisht, për të folur për këtë, por pa dyshim ai po bën një punë të shkëlqyer,” shtoi ai. “Dhe ndoshta do të ishte i favorizuar në këtë moment”.
Presidenti tha gjithashtu se edhe figura të tjera nga kabineti i tij mund të udhëheqin lëvizjen MAGA në të ardhmen. Trump dhe disa prej aleatëve të tij kanë hedhur herë pas here idenë që ai mund të kandidojë për një mandat të tretë, gjë që është e ndaluar nga Kushtetuta.
Rubio kandidoi kundër Trump gjatë garës së 2016-ës për nominimin republikan, por që atëherë është pozicionuar si një aleat i tij.
Muajin e kaluar, Rubio hodhi poshtë spekulimet se ai mund të jetë kandidati presidencial i Partisë Republikane për vitin 2028. Në vend të kësaj, ai shprehu mbështetje për JD Vance.
“Mendoj se JD Vance do të ishte një kandidat i shkëlqyer nëse vendos të ndërmarrë një hap të tillë,” tha Rubio gjatë një interviste me Lara Trump, e transmetuar në kanalin Fox News.
Ai gjithashtu vlerësoi performancën e JD Vance si nënpresident gjatë segmentit në emisionin “My View with Lara Trump” dhe bëri të qartë se është i kënaqur me rolin e tij aktual në kabinetin e presidentit Donald Trump.