Dosja “Partizani” nuk është më thjesht një çështje e radhës për SPAK. Me zbardhjen e plotë të hetimeve dhe kalimin e saj për gjykim nga themeli, ajo po shndërrohet në pikën e kthesës që mund të trazojë themelet e një prej familjeve më të pushtetshme të politikës shqiptare. Si një kuti e mbyllur për vite me radhë, e cila sapo është çelur, kjo dosje po nxjerr në dritë jo vetëm skema të dyshimta pasurimi dhe përfitimesh, por një rrjet të ndërlikuar transaksionesh, interesash të padeklaruara dhe lidhjesh me oligarkë, që rrezikojnë të përfshijnë drejtpërdrejt vajzën e Sali Berishës, Argita Malltezin. Ajo që dikur trajtohej si një hetim për abuzimin me privatizimin e një klubi sportiv, sot po zbulohet si një skemë shumëdimensionale pasurimi familjar, ku pronat milionëshe në Holandë, Belgjikë, Hungari e Shqipëri, marrëveshjet me figura të njohura të biznesit dhe deklarimet e munguara krijojnë një panoramë që SPAK nuk mund ta anashkalojë.
Hija e një aktakuze të re për Argita Malltezin është tashmë e pranishme, dhe për herë të parë, drejtësia duket e vendosur të shkojë deri në fund. Në dosjen 500 faqëshe të SPAK del se Argita Malltez, ka fshehur pasurinë dhe nuk e ka deklaruar në ILDKPI. Vajza e Sali Berishës sipas ligjit rrezikon deri në tre vite burg. “Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja Fq. 2 ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Në dosjen e SPAK janë evidentuar një sërë shpenzimesh që Jamarbër Malltezi ka bërë jashtë vendit, kryesisht në blerje apartamentesh, për të cilat Prokuroria thotë se nuk gjenden gjurmë në deklaratat e pasurive. Detyrimi për t’i deklaruar këto transaksione, sipas SPAK, ka qenë i Argita Malltezit, si person i lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha. Shpenzimet e listuara nga SPAK, lidhen me blerjen e një apartamenti në Budapest, në vitin 2019, për shumën totale të 163 mijë eurove. Pagesat për këtë apartament janë bërë përmes bankës, të ndara në 4 këste në vlera të ndryshme. Po ashtu nga llogaria në euro e Jamarbër Malltezit gjatë vitit 2019 janë evidentuar 16 transferta dalëse për në Gjermani, në shuma kryesisht të vogla. Dy apartamentet e tjera të cilat përmenden në dosje janë blerë në Belgjikë, dhe në Roterdam në vitin 2021. Apartamenti në Roterdam, është blerë për vajzën në shumën e 320 mijë euro, ndërsa apartamenti në Belgjikë është blerë për shumën e 450 mijë eurove.
Desara Malltezi rezulton të jetë blerësja, ndërsa paratë ishin dërguar përmes bankës nga babai i saj. Vetë SPAK thotë se të gjitha pagesat janë bërë përmes bankës, dhe kanë pasur dokumentacion justifikues për burimin e tyre. “Vlen për t’u theksuar se, shtetasja Argita Malltezi e cila është e vetmja nga familja Malltezi që bën deklarimin e pasurisë në respektim të ligjit nr 9049/2003 (bashkëshorti i saj ka deklaruar vetëm me periudha te caktuara si person i lidhur me te atin e vet), nuk deklaron të ardhurat, shpenzimet apo pasuritë e bashkëshortit dhe as pjesëmarrjen e tij si ortak në shoqërinë Homeplan sh.p.k., të cilat sipas K.Familjes, i kanë në bashkëpronësi. Kjo bën që të humbasin gjurmët e të ardhurave të vërteta të familjes Malltezi apo shpenzimet e tyre reale, qoftë për pasuritë (blerje, mobilim, rikonstruksione) ashtu edhe për fëmijët e tyre”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
Vetë Argita Malltezi, e pyetur për këto apartamente jashtë vendit, tha disa kohë më parë se ato janë blerë në mënyrë të ligjshme, dhe se paratë nuk janë transportuar me çanta. “Të gjitha këto janë bërë me bankë. Pse, si janë bërë, me valixhe? Me bankë janë bërë, janë deklaruar dhe janë kontrolluar nga drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave, të gjitha. Se kalojnë me bankë. Lëre që të kontrollojnë njëherë atje ku çon fondet. Kushdo është i lirë të investojë atje ku do. Puna është që i kam kaluar me bankë nga Shqipëria. Çdo gjë ka lëvizur me bankë. Çdo njeri është i lirë të blejë atje ku do dhe si e do”, tha Malltezi pas publikmit të dosjes në media.
Transaksionet me pronat
Gjithashtu nga dosja e SPAK zbulohet se Jamarbër Malltezi dhe Argita Malltezi kanë blerë toka dhe ia kanë shitur Damir Fazlliç me çmim më të lartë. Këto transaksione Argita nuk i deklaron në IDLKPKI. “Personi i ngarkuar nga Damir Fazllic për marrëdhënie të ndryshme në Shqipëri ka qenë Flutura Kola, e cila evidentohet nga këto transaksione, pra blerjet dhe më pas shitjet e kryera. Është për t’u theksuar fakti se në akte përshkruhet se pagesat bëhen dorazi. Argita Malltezi evidentohet se ka nënshkruar kontratat e shitjes në drejtim të blerësit Damir Fazllic bashkë me bashkëshortin e saj, megjithëse nuk i deklaron në IDLKPKI këto transaksione”, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK.
Transaksionet e dyshimta me oligarkë
Gjithashtu, një tjetër detaj që evidenton SPAK është se pasuritë që ka marrë Malltezi nga oligarku Samir Mane, Argita nuk i ka deklaruar në ILDKPI. “Me kontratën e shitjes nr. 644 rep nr. 370 kol datë 08.09.2014, para noteres Sonila Bejtja, shoqëria Mane TCI sh.p.k. në cilësinë e shitësit dhe shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e blerësit, lidhin një kontratë shitblerje. Sipas kësaj kontrate shitësi, pronar i pasurisë së llojit apartament me nr. 6/408+1-22 vol 40 faqa 104 ZK 8160, me sip të shfrytëzueshme 201.88 m2 me adresë rruga Dervish Hima, i pajisur me certifikatë për vërtetim pronësie me nr. 774211 datë lëshimi 18.07.2013 i shet blerësit pronën e sapocituar në vlerën 225,745 euro.
Çmimi i shitjes është likujduar tërësisht nga blerësi në llogarinë bankare të shitësit, sipas kontratës së sipërmarrjes nr. 2955 rep nr. 585 kol datë 30.03.2010 dhe pagesave vijuese gjë që vërtetohet nga mandat pagesat. Në vitin 2014, evidentohet pagesa e fundit për apartamentin e blerë në 2010 tek Ambasador 2 për marrjen e hipotekës 5,000 euro, (700,700 lekë), në llogarinë Intesa Sanpaolo 40201835102 euro për Mane TCI shpk më datë 15.04.2014. Në vitin 2014 nuk konstatohet që shtetasja Argita Malltezi të ketë bërë deklaratë për këtë pasuri”, thuhet në dosjen e SPAK.
Pagesat te Bashkim Ulaj
Të gjitha apartamentet te pallati i Bashkim Ulajt në ‘Mustafa Matohiti’, nuk gjenden pagesat Një emër tjetër i përmendur në disa faqe të dosjes së SPAK për aferën Partizani është ai i Bashkim Ulajt. Në dosje paraqiten disa apartamente dhe pasuri të Jamarbër dhe Argita Malltezit që i kanë marrë nga kompania ndërtuese A.B.A.U e Bashkim Ulajt dhe familjarëve të tij. Pasuritë janë në pallatin në rrugën Mustafa Matohiti ka familja jeton edhe sot. SPAK flet për një apartament mbi 205 mijë euro, nga të cilat thotë se ndër vite nuk jepen të dhëna në deklarim se si dhe kur janë paguar këto para (faqe 410 te dosje). Edhe një apartamenti tjetër që i janë shtuar 35m2 tarracë Argita Malltezi nuk e ka deklaruar dhe SPAK ka konkluduar se nuk i kanë bërë ndonjë pagesë kompanive të Bashkim Ulajt (faqe 411).
Një tjetër pasuri që evidentohet në dosje është një garazh i marrë në vitin 2002, 10 mijë euro, për të cilin SPAK thotë se nuk është deklaruar nga Argita Malltezi dhe ndoshta nuk është paguar. SPAK rikujton se Bashkim Ulaj me kompaninë e tij GENER 2 ka marrë gjatë kohës që Berisha ishte Kryeministër një koncesion miniere në Fushë Krujë. SPAK evidenton edhe faktin se në apartamentin me tarracë në rrugën “Mustafa Matohiti” zhvendoset Sali dhe Liri Berisha në vitin 2007. Pra tarraca në të cilën bën ecje sot Sali Berisha nën arrest shtëpie, është e padeklaruar ndonjëherë në organe dhe nuk ka prova nëse janë bërë pagesa dhe mënyra se si janë bërë këto pagesa
Pagesat
Gjici i blen apartamentin, por Argita mori qira 1170 euro në muaj për 4 vite. Pikërisht ky apartament i është shitur nga Argita Berisha dhe Jamabrer Malltezi një tjetër personazhi të njohur, Safet Gjicit, ish kryebashkiakut socialist të Kukësit. Shitja i është bërë në vitin 2008 Gjicit. Kontrata e shitjes së pasurisë që çifti i familjes kryeministrore e kishte paguar Enti i Banesave vetëm 1.471.000 lekë (plus 20.000 dollarë për një shtesë 60 metra katrorë) u shit më 26 shkurt 2008 socialistit Gjici për 129,800 euro.
Çifti Malltezi gjithashtu i shet Gjicit edhe shtesën e apartamentit, të ndërtuar më vonë, e cila ka hyrje më vete, me sipërfaqe prej 72 metër katrorë, në proces legalizimi. Por ajo që SPAK ka zbuluar është fakti se Argita Malltezi, pavarësisht se rezulton të ketë shitur apartamentin dhe shtesën në vitin 2008, ka vijuar të deklarojë përfitim qiraje për pasuri të ndodhura në rrugën Lidhja e Prizrenit deri në vitin 2012. Argita Malltezi, në deklaratën periodike vjetore, deklaron të ardhura për vitet 2008, 2010, 2011 nga qiraja e apartamentit në rrugën Lidhja e Prizrenit, në vlerën e 1170 euro në muaj. Shitjen e pasurisë apartament, sipas SPAK, Argita Malltezi e deklaron vetëm në vitin 2012./SOT