Dy kokat apo figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndodhen përballë një stuhi akuzash dhe hetimesh të paprecedentë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Për herë të parë, drejtësia shqiptare ka guxuar të prekë dy ish-liderë që për dekada kanë dominuar politikën dhe pushtetin. Meta, i përfshirë në dosjen e bujshme “CEZ-DIA” dhe atë të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, prej tetorit 2024 kur u arrestua, në mënyrë sistematike ka shpërthyer me tone të ashpra kundër prokurorëve.
Ai e quan SPAK-un një “vegël të Edi Ramës” dhe procesin ndaj tij “një farsë pa prova, pa fakte dhe pa dokumente”. Nga ana tjetër, Berisha, i cili përballet me dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani” dh që akuzohet për korrupsion, prej thuajse dy vjetësh ka lëshuar sulme të pandërprera ndaj kreut të SPAK dhe prokurorëve e gjyqtarëve specialë, duke i cilësuar si “mercenarë të pushtetit dhe të Sorosit”.
Ai paralajmëron se “SPAK do të shkrihet dhe prokurorët do të përfundojnë në burg” sapo regjimi të marrë fund. Të dy ish-liderët, ndonëse mohojnë çdo akuzë, e shohin “tokën t’u dridhet nën këmbë”, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe dosjet me prova e fakte kundër tyre janë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku mundësitë janë që ata të dënohen sa i takon akuzave që rëndojnë mbi ta. Sulmet e tyre ndaj drejtësisë janë bërë çdo ditë e më të ashpra, por mesazhi i SPAK është i prerë: askush nuk është mbi ligjin.
Pra kjo panoramë tregon se Shqipëria po përjeton një moment historik, ku dy kokat e politikës së vjetër Meta dhe Berisha mund të shkojnë drejt një dënimi të bujshëm për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkohë më poshtë po sjellim për lexuesin “përmbledhje tematike të deklaratave të bërë gjatë këtij viti (2025)”, “dosje akuzash dhe sulmesh” ose thjesht “fact-sheet për Metën/Berishën dhe SPAK-un”.
6 SULMET/AKUZA NGA ILIR META NDAJ SPAK (PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE SPECIALË)
“Puppet” e Edi Ramës – “anti-opozitës task-force”
Ilir Meta i ka cilësuar SPAK-un si instrument të Edi Ramës, duke e quajtur atë si një “task-force anti-opozite” dhe duke e paraqitur si “kukull” politike të kryeministrit.
Sulm politik i dirigjuar për të sulmuar opozitën
Meta ka deklaruar se akuzat kundër tij janë një “sulm i dirigjuar politik” që synon të shkatërrojë opozitën dhe të margjinalizojë zërin e tij në skenën politike.
Hetime si farsë- “ZERO fakte penale, ZERO prova…”
Pas mbylljes së hetimeve, Meta i quajti ato si një “proces farsë” duke deklaruar: “ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO lekë përfituar… ZERO pasuri të paligjshme!”
Pyetje reciproke, prokurorët shmangën përgjigjen
Gjatë seancave në SPAK, Meta tha se ka qenë dialog “me pyetje reciproke”, por sipas tij, prokurorët “iu shmangën” pyetjeve të tij duke mos shpjeguar kompetencën apo bazën e hetimeve.
I gatshëm për drejtësi, SPAK nuk ka dokumente apo prova për përdorim të autoritetit në çështje si CEZ-DIA
Në mënyrë sistematike Meta thekson se nuk ka firmosur asgjë, nuk ka dokumente, urdhëra apo prova që e lidhin atë me rastin CEZ-DIA apo veprime korruptive, duke e paraqitur procesin si tërësisht të bazuar në spekulime politike.
Ilir Meta sulmon SPAK dhe GJKKO, zbulon emrat e dëshmitarëve në procesin kundër tij: Zero prova
Ilir Meta, kreu i PL-së, i cili prej tetorit të 2024 ndodhet në qeli me vendim të GJKKO-së dhe kërkesë të SPAK, ka reaguar pak ditë më parë përmes një deklarate publike, ku sulmon Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën, e cila rrëzoi kërkesat për lirimin e tij nga masa e ‘arrestit me burg’. Meta e cilëson vendimin për të mos e liruar nga masa e sigurisë si një “mashtrim publik”, të ndërtuar mbi pretendimin se lirimi i tij si kryetar partie mund të intimidonte dëshmitarët e çështjes. Sipas Metës, ky argument është i pavërtetë, pasi dëshmitarët e përmendur nga SPAK nuk janë anëtarë të Partisë së Lirisë. “Nuk do ja vlente të merresha publikisht me Erjon Çelën, i cili edhe pse paguhet si gjykatës bën veçse noterin e SPAK-ut për të tretën herë, kundër meje por edhe kundër procesit të rregullt ligjor që duhet të garantojë si gjykatës.
Por nuk mund të hesht përpara një mashtrimi të pacipë të shkruaj prej tij, sipas diktatit të “Afërmendshit” (Altin Dumani), pikërisht alibisë se lirimi im për shkak të funksionit si President i Partisë së Lirisë mund të sjellë intimidimin e gjoja dëshmitarëve, që janë anëtarë të Partisë së Lirisë. E theksoj se përveç Z. Petrit Vasili, asnjë tjetër nga dëshmitarët e SPAK-ut nuk është anëtar i Partisë së Lirisë sot. ?, edhe falë Dumanit, dihet botërisht se është bërë “rilindas” i thekur dhe ishte në listën e deputetëve të Partisë Socialiste. ? është shkarkuar nga Partia e Lirisë që në Janar 2024 për veprimtari të dyshimtë dhe është pjesë e “Rilindjes”. Madje ishte edhe numërues i votave të saj në zgjedhjet e fundit për Partinë Socialiste. ?, ish-financierja e LSI për 20 vite që nga themelimi është larguar në mënyrë të çuditshme në pranverë të vitit 2024 dhe pa dorëzuar detyrën e saj me shumë përgjegjësi, për të cilën i është bërë edhe thirrje publike disa herë në atë kohë. Ajo është punësuar sipas asaj vet në biznesin e Endritit (Braimllarit). ?, ish-kryefinanciere e LSI para 10 vitesh. Prej 6 vitesh nuk është pjesë e LSI, por është pjesë e administratës publike. ?, ish-Sekretar i Përgjithshëm i LSI, i vetëlarguar që në gusht 2021”, shkroi Meta më 22 gusht 2025.
6 SULME/AKUZA NGA SALI BERISHA NDAJ SPAK (PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE SPECIALË)
“Prokurori politike” – vegël e Ramës dhe Sorosit, me mercenar Dumanin
Sali Berisha ka quajtur SPAK-un “prokurori politike të Edi Ramës”, duke shtuar se është një “vegël e regjimit”, një “patericë e pushtetit të krimit”, ndërkohë që institucioni “do të marrë fund me turp më 11 maj 2025”
Prokuroria ekstreme- do shkrihet, prokurorët do burgosen
Ai deklaroi se pas 11 majit, SPAK do të “shkrihet” dhe “prokurorët e lidhur me bandat do futen në burg”. France: të njëjtën fate me bandat, prokurorët korruptuar nuk do të shpëtojnë.
“Piramidë mashtrimi”- proces kundër tij si mashtrim politik
Pasi doli nga SPAK, ai e përshkroi çështjen si një “piramidë fund e krye mashtrimi”, duke e konsideruar të pandehur zyrtarisht, por sipas tij akuza është me motive politike dhe pa prova.
“Asnjë provë, as dokument, as firma ime” për çështjen Partizani
Para se t’i komunikoheshin akuzat në SPAK, Berisha deklaroi se “nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument” që e lidh me çështjen e privatizimit të klubit Partizani, dhe se “firma ime nuk ekziston në ato dokumente”
Sali Berisha paraqitet në SPAK për masën e sigurisë, sulmon gjyqtaren dhe prokurorin
Pas paraqitjes për masën e sigurisë, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka dhënë një prononcim për mediat. Në deklaratën e tij, ai ka hedhur akuza ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Berisha e ka quajtur Dumanin pjesë të organizatës kriminale të ashtuquajtur “Troplinët”, ndërsa Gjokën e ka cilësuar si mashtruese. “Po lexoj deklaratën që lashë për kreun e SKAP-it, Altin Troplini. Pasi mbajti në xhep për javë të tëra mandatin e arrestit për kreun e kartelit Troplini, duke u bërë kështu pjesë e organizatës Altin Troplini, ai hapi një dosje për Irenën me pesë mbiemra, pa emër.
Ka hapur çështje penale pa emër kjo është një shkelje dhe abuzim i rëndë me drejtësinë. Irena, me tre apo pesë mbiemra, është një delikuente që nuk e ka vendin në sistemin e drejtësisë, por atje ku e meriton. Altin Troplini, me urdhër të Edi Ramës, bën gjithçka për t’i zgjatur qëndrimin në sistem kësaj qenieje delinkuente, duke u shndërruar së bashku me të në fytyrën e vërtetë të drejtësisë së kapur. Irena, me tre mbiemra, është një mashtruese ordinere. Ajo është shkarkuar në vitin 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për korrupsion fakt të cilin ua ka mohuar avokatëve të mi. Irena, që mbrohet me çdo kusht nga Altin Troplini, ka mashtruar edhe në formularët e saj”, deklaroi Berisha në 21 korrik 2025.
Berisha: Në SPAK gjeta Elvis Doçin duke dekoruar Altin Troplinin si president nderi të kartelit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar, po funksionon në realitet si aleat i tij. Në një deklaratë për mediat më 18 gusht të këtij muaji, Berisha akuzoi drejtues të lartë të SPAK-ut, përfshirë kreun e saj Altin Dumani, të cilin ai e ironizoi me emrin “Altin Troplini” për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës që operojnë brenda dhe jashtë territorit shqiptar. Berisha tha se gjatë qëndrimit të tij në institucion për shkak të masës “detyrim paraqitje”, gjeti aty Elvis Doçin, figurë që ai e përshkroi si të lidhur me botën e krimit, duke i vendosur në qafë një “pllakatë nderi” Altin Dumanit, në një akt simbolik që e shpallte atë president nderi të një karteli droge, për “shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë aktivitetit kriminal”./Rigels Seliman