Nga Simon Hadaj
Ish-deputeti kontravers i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, deklaroi sot në një intervistë televizive se i janë vjedhur votat nga brenda vetë partisë në zgjedhjet e 11 majit. Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, mjafton të hedhësh një sy në listën e kandidatëve në qarkun e Beratit për të kuptuar se kujt i drejtohej akuza e tij.
Reagimi i Maliqit vjen pak ditë pasi kandidati tjetër i kësaj liste, Aulon Kalaja, hodhi hije dyshimi ndaj Arjan Ndojit, duke lënë të kuptohej se ai kishte manipuluar procesin e numërimit të votave. Pra, ndërsa zyrtarisht PD e Sali Berishës akuzon Edi Ramën dhe pushtetin socialist për vjedhje votash, nga ana tjetër, kandidatët e vet po akuzojnë njëri-tjetrin për të njëjtën gjë.
Kjo nuk është më thjesht një çështje e brendshme e një partie në krizë, por një skandal i madh. Kur ata që bëjnë kauzë “votën e lirë” denoncojnë publikisht kolegët e tyre për manipulim votash, atëherë besueshmëria e gjithë frontit opozitar vihet seriozisht në pikëpyetje.
Nëse këto akuza janë të vërteta, atëherë jemi përballë një paradoksi grotesk: njerëz që pretendojnë se do të çlirojnë vendin nga hajdutët e votave, në fakt, vjedhin njëri-tjetrin para se të arrijnë në pushtet. Dhe kur të betohen në shtator në Kuvend, ndoshta sërish do të thërrasin “kapeni hajdutin” — vetëm se këtë herë hajduti mund të jetë në rreshtin pranë.
Me sa duket, Lefterit kësaj radhe nuk i bëri fajde as thurja këngë për LaCivitën, sepse, ndërsa ai hartonte tekstin, dikush tjetër nga brenda listës, “i binte gërnetës”.