Për të kuptuar aftësitë negociuese të Vladimir Putinit, duhet të kthehemi te Andrei Gromyko, legjendari “Zotëria Nyet” (Zotëria JO), i cili udhëhoqi diplomacinë sovjetike nga viti 1957 deri në vitin 1985, duke shërbyer nën 5 sekretarë të përgjithshëm të BRSS-së: Hrushovit, Brezhnjevit, Andropovit, Çernenkos dhe Gorbaçovit, i cili e shkarkoi atë.
Mentori i tij ishte Vyacheslav Molotov, ministri i jashtëm i Stalinit, i njohur si “Çekiçi” për aftësinë e tij për të përsëritur pafundësisht të njëjtën gjë, pavarësisht kundërshtimeve të bashkëbiseduesve të tij.
Molotovi hyri në histori për paktin famëkeq, të nënshkruar në vitin 1939 me homologun e tij nazist Von Ribbentrop, në të cilin Stalini dhe Hitleri ranë dakord për ndarjen e ardhshme të Polonisë.
Por, siç e pranoi edhe Henry Kissinger, Gromyko e tejkaloi atë në aftësi dhe këmbëngulje. “Të negociosh me të, pa ditur çdo detaj të dosjes është e barabartë me vetëvrasje”, tha sekretari i Shtetit i atëhershëm i SHBA-së.
Një mjeshtër i fshehjes, në një moment të rrallë sinqeriteti, Gromyko përmblodhi themelet e taktikave të tij negociuese, sipas shënimeve të mbajtura nga Oleg Grinevski.
“Para së gjithash, kërkoni maksimumin. Mos kini turp ta ekzagjeroni. Kërkoni edhe gjërat që nuk ju kanë përkitur kurrë. Së dyti, paraqisni ultimatume. Kërcënoni me luftë, mos i kurseni kërcënimet, pastaj propozoni negociata, duke i përshtatur ato sipas situatës.
Gjithmonë do të jetë dikush në Perëndim gati të bjerë në grackë. Së treti, sapo të fillojnë negociatat, mos u dorëzoni asnjë centimetër. Bashkëbiseduesit tuaj do të përfundojnë duke ju dhënë një pjesë të asaj që kërkuat.
Por edhe atëherë, mos nënshkruani: shtyni për më shumë dhe ata do ta pranojnë. Kur të keni marrë gjysmën ose dy të tretat e asaj që nuk ju përkiste, atëherë mund ta konsideroni veten diplomat.”