FBI ka publikuar dy fotografi të një individi të cilësuar si person me rëndësi për hetimin në lidhje me vrasjen fatale të Charlie Kirk, që ndodhi në kampusin e Utah Valley University.
Autoritetet federale kërkojnë ndihmën e publikut për ta identifikuar këtë person, i cili mund të ketë informacion të rëndësishëm për hetimin që po vijon me intensitet të lartë.
Kërkimi për autorin e vrasjes së Charlie Kirk vijon edhe të enjten, pasi hetuesit njoftuan se një pushkë snajperi me qitje të fuqishme dhe me karikim manual është gjetur në një zonë të pyllëzuar pranë vendngjarjes.
Lajmi u bë publik gjatë një konference shtypi të enjten në mëngjes.
Forcat e rendit zbuluan pak detaje për vrasjen e aktivistit të djathtë, 31-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje në qafë gjatë një aktiviteti publik në Universitetin Utah Valley të mërkurën.
Sipas raportimit të Wall Street Journal, bazuar në një buletin të forcave të rendit dhe një burim të njohur me hetimin, municioni brenda armës kishte të gdhendura mesazhe që lidhen me ideologjinë transgjinore dhe antifashiste.
Autoritetet bënë të ditur se disponojnë pamje filmike të personit të dyshuar, i cili “duket të jetë në moshë kolegji” dhe “është përzier mes studentëve në kampus”, sipas Komisionerit të Departamentit të Sigurisë Publike të Utah, Beau Mason.
Hetuesit kanë gjithashtu prova të tjera fizike si një gjurmë pëllëmbe, gjurmë parakrahu dhe një “gjurmë këpucësh” të lënë nga i dyshuari.
Pamjet tregojnë se ai ka hyrë në ambientet e universitetit në orën 11:52 paradite dhe ka lëvizur nëpër shkallë, duke arritur në çatinë e ndërtesës, ku dhe ndodhi sulmi me armë.
Pas krimit, autori është ndjekur me kamera teksa largohej duke kaluar mbi çati dhe më pas duke u hedhur nga godina për t’u arratisur.