Personazhi i rubrikës ‘Antena’ në gazetën ‘TemA’, ambasadori i famshëm, Gim Nesho, është shndërruar në një gardian të trampizmit në Shqipëri.
Në shkrimin e tij të fundit, i denjë për një ‘roman’ policesk dhe konspirativ, Nesho e ka projektuar Ramën si kokën e një mjeshtri konspirativ që punon mëngjes dhe mbrëmje se si t’ia hedhë Donald Trumpit.
Por kur lexon analizë e Gim Neshos, e kupton se trampizmi në Shqipëri është në duar të sigurta dhe Rama nuk ka nga ia mban.
Lexon analizën e Neshos dhe ke përshtypjen se Rama po lëviz fijet e politikës botërore nga zyra e tij në bulevard. Një ditë, sipas Neshos, ai shpall shtet bektashi për të fituar zemrën e Izraelit; ditën tjetër, i hedh koncesione turistike miqve të republikanëve për të mbijetuar; ndërsa natën flet me Vuçiçin për të rishkruar hartën e Ballkanit. Një skenar që do ta kishin zili edhe serialet e Netflix-it.
Por çfarë harron Gim Nesho? Se nuk është më vitet ’80, kur burokratët e Partisë i tregonin popullit për “planet e CIA-s kundër Shqipërisë socialiste”. Vetëm se sot ky “CIA-ja e dikurshme” është kthyer në “Rama kundër Trumpit”. I njëjti stil, vetëm që e ka ndërruar shenjën.
Ironia është therëse, sepse dikur pjesë e aparatit komunist që anatemonte Amerikën, sot Nesho del si James Bond i pensionuar që shpjegon se si Rama po e rrëzon SHBA-në nga Ballkani. Ai duket sikur mban një dosje sekrete në xhep dhe çdo natë bën llogaritë se kush nga liderët botërorë është viktimë e radhës e “planit të Ramës”.
Shqipëria nuk ka as fuqi dhe as peshë për të ndikuar në politikën botërore, por Gim Nesho, me nuhatjen e tij të “shqiponjës diplomatike”, ka nevojë të na tregojë se e ka zbuluar planin para të gjithëve. Në fakt, më shumë se një analist, ai duket si një James Bond i harruar, që tani shpjegon konspiracionet e Ramës nga tavolina e një kafeneje tiranase./TemA
Më poshtë shkrimi i plotë i Neshos:
Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i rezolutës “Mbështetja e Deklaratës së Nju Jorkut për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”, ku Shqipëria abstenoi, nuk është ndonjë surprizë e madhe. Rama politikën e jashtme jo vetëm e ka personalizuar, por edhe vepron me shijet e një diktatori klientelist që “gjuan” avantazhet e politikës së ditës. Pas vitit 1992, Shqipëria e dalë nga transformimi demokratik i lëvizjes së ‘90- ës, përshtati politikën e jashtme me atë të demokracive perëndimore. Kështu, në qëndrimet e shtetit shqiptar për problematikën kryesore ndërkombëtare, Shqipëria u bashkohej me votë vendeve të BE-së, ku ajo kërkonte të integrohej. Në qoftë se vendet e BE-së kishin qëndrime të kundërta, ajo përpiqej të merrte në konsideratë qëndrimin amerikan. Kjo strategji u përpunua dhe u vu në zbatim me mirëkuptimin e diplomatëve të Uashingtonit dhe Brukselit. Pas një çerek shekulli të zbatimit të kësaj linje diplomatike, shikoni sa qesharak është qëndrimi i Shqipërisë sot për çështjen palestineze, nga intensiteti i ndryshimit të qëndrimeve. Në vitin 2015, diplomacia shqiptare voton pro Palestinës për njohjen e simboleve të saj në OKB, duke reflektuar dashurinë dhe nënshtrimin e Ramës ndaj një shtetari si Erdogani. Ajo mbështeti rezolutën e Konferencës së Bashkëpunimit Islamik kundër pozicionit amerikan dhe shumicës së vendeve të tjera perëndimore, që insistuan për mosheqjen e vëmendjes nga zgjidhja themelore e konfliktit Izrael-Palestinë.
Dy vite më vonë, kur Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Trump kërkuan votën për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Shqipëria votoi kundër. Rama në këtë kohë kishte qenë në shërbim të demokratëve amerikanë, të cilët i siguruan protagonizmin si një lider global, që e quajti Trump-in “turp i civilizimit” në shtypin botëror. I frikësuar nga pasojat dhe nevoja që kishin së bashku me Vuçiçin që të diskutonin në Uashington projektin e ndryshimit të kufijve ballkanikë, Rama loboi të fliste në AIPAC 2018, një nga organizatat e fuqishme të lobit hebre në SHBA. Por lavdërimet dhe “furçat” për popullin hebre nuk i dhanë mundësi për një takim. Zv.Presidenti Pence refuzoi takimin me të, pavarësisht se ishte i vetmi kryeministër në një aktivitet në një organizatë joqeveritare.
Ardhja e Presidentit Trump përsëri në pushtet e detyroi Ramën të merrte masat me kohë. Me demokratët kishte si garant Sorosin dhe bëri gati promovimin e librit të Zv.Presidentes Harris disa ditë para zgjedhjeve, ndërsa me republikanët mori parasysh sugjerimin e Vuçiç dhe këshilltaritlobist të tij për të bashkëpunuar në pasuri të patundshme dhe koncesione për turizmin, me njerëz afër administratës. Po shkapërdredhja e Ramës me investitorët arabë duke dhënë pasuritë e popullit për t’u pasuruar së bashku me ta, i mësuan Kryeministrit Rama se krijimi i marrëdhënieve preferenciale me Izraelin ishin të domosdoshme. Dekorimi i Ramës nga Presidenti i Izraelit tregoi se ai nuk ishte një klient i zakonshëm. Asgjë nuk dihet se çfarë ka pranuar Rama, por dihet sjellja e tij servile me Melonin, Kryeministrin Britanik, me Erdoganin etj., që e bën figurën e tij një plastelinë klienteliste. Ajo që dihet deri tani në marrëdhëniet klienteliste me Izraelin është ndryshimi i qëndrimit në votim në OKB dhe shpallja prej tij e shtetit bektashi në shtetin Shqiptar, projekti i të cilit akoma nuk njihet. Përkrahësit e Ramës që mezi presin ndonjë kockë nga pushteti i tij i fuqishëm që ndërton grataçela me para në dorë, që e ka lulëzuar Shqipërinë me kanabis dhe kokainë, që harxhon me miliona për PR dhe Giro d’Italia, që ka sfiduar diplomacinë botërore herë me atletet e tij, brekushet e gjera e deri në “dirigjimin” e liderëve botërorë gjatë ceremonisë së fotove zyrtare, besojnë se ky është një lider global i jashtëzakonshëm. Për fat të keq, Shqipëria është bërë një vend klientelist me një politikë të jashtme qesharake. Një vend që punon me nacionalistin serb Vuçiç, duke promovuar ‘Ballkanin e Hapur’ dhe sakrifikuar interesat e Kosovës; një vend që pretendon integrimin europian, por i thotë Perëndimit që të mos insistoni shumë në standarde europiane të vlerave se ato janë të papranueshme për kulturën e vendit. Një politikë e jashtme që sillet në mbrojtje të Ukrainës, por konsumohet në mbrojtje të Serbisë që nuk njeh sanksionet ndaj Rusisë; një politikë e jashtme që nuk mbron interesat e sovranitetit të vendit, por i bën favore personale Melonit duke shkelur edhe Kushtetutën; një politikë e jashtme që një ditë thotë do ta bëjë Shqipërinë Europën e Ballkanit dhe ditën tjetër që Shqipëria duhet të jetë urë lidhëse me Lindjen e Mesme dhe autokracitë arabe, të cilat nuk e njohin as transparencën, as llogaridhënien dhe korrupsionin vetëm interesat e pushteteve të tyre mbretërore. Por ky shtet qesharak i Edi Ramës në sy të komunitetit ndërkombëtar po bëhet një realitet i një pushteti absolut që bën dhe realizon çdo gjë për interesat e pushtetit të tij në Shqipëri. Ai manipulon zgjedhjet, kap institucionet dhe mediat dhe ka asfiksuar demokracinë në Shqipëri.
Po të mos lëvizim tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të thurim këngë për shtetin qesharak të Ramës dhe udhëheqësin global që e ka deklaruar që do të rrimë në pushtet deri në 2050.