Revista gjermane DER SPIEGEL e përmblodhi vizitën e kancelarit Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë me pak fjalë: “Uf! Patëm fat”!
Donald Trump ishte në humor të mirë. Merz i solli atij një dhuratë të veçantë: certifikatën e lindjes të gjyshit të tij, i cili si 16-vjeçar emigroi nga Gjermania në Amerikë, në vendin e mundësive të pakufizuara.
Trump pranoi ftesën për vizitë në Gjermani, nuk goditi mysafirin, u tregua i përzemërt, madje edhe me humor.
Merz mezi arriti të marrë fjalën, por gjatë paraqitjes para mediave foli kryesisht Trump. 40 minuta.
Lavdërime dhe vetëlavdërime dhe disa fjalë kritike kundër Elon Muskut, pasanikut më të madh të kësaj bote.
Pas largimit të Merzit nga Shtëpia e Bardhë, filloi një shou tjetër. Nata mes 5 dhe 6 qershorit të vitit do të hyjë në histori si fundi spektakular i miqësisë mes politikanit më të pushtetshëm në botë (Trumpit) dhe pasanikut më të madh në botë (Muskut).
Sekondë pas sekonde situata eskaloi me goditje e kundërgoditje në rrjetet sociale.
Steve Bannon, ish-strategu i Trumpit, kërkoi dëbimin nga Amerika të Elon Muskut, i cili rrjedh nga Afrika e Jugut.
Një zot (dhe një djall) e di çka do të ndodhë në orët e ditët në vijim. Shou veçse ka filluar. Bota do të jetë dëshmitare. (E.Robelli)