Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për kalimin e bizneseve vendore në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ai e ka cilësuar këtë hap si një dëm të madh për ekonominë dhe ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se i ka lënë bizneset në mëshirë të asaj që e quajti “mafia energjetike”.
Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se ky veprim është i qëllimshëm dhe synon çmontimin e shtetit duke u krijuar përfitime financiare njerëzve të afërt me pushtetin. “Zaptuesi i Zyrës së Kryeministrit së bashku me vartësit e tij, i la bizneset e Kosovës në mëshirë të mafias energjetike, në mënyrë arbitrare dhe me qëllim të qartë tashmë, çmontimin e Kosovës duke ua trashur xhepat të dëgjueshmëve të tij”, shkroi ai.
Kreu i AAK-së paralajmëroi gjithashtu se pasojat e këtij vendimi do të kenë përgjegjësi ligjore. “Ky veprim shkatërrues nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë, dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta, pashmangshëm do të përballen me ligjin. Kosova ka me u liru nga këta gangasterë me agjenda të dyshimta”, përfundoi Haradinaj