Nga Valentina Santarpia, Corriere della Sera
Ish-kryeministri shfaqet në një video në aktivitetin e organizuar nga Kina për të festuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit japonez të Kinës.
Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema ishte gjithashtu i pranishëm në paradën ushtarake të Pekinit me udhëheqësit kinezë Xi dhe udhëheqësin rus Putin. Një incident “serioz”, tha kreu i Azione, Carlo Calenda, duke komentuar një video të publikuar në X që përmban një intervistë me ish-sekretarin e PDS në televizionin kinez.
“D’Alema do t’i bëjë homazhe Putinit, Kim Jong Unit he Xi Jinping. Ndërsa të rinjtë po vdesin në Ukrainë duke mbrojtur lirinë e tyre dhe tonën. Një copë e vërtetë ‘e nivelit Salvini'”, shkruan Calenda në X.
Në intervistën e publikuar në mediat sociale, D’Alema, në Pekin për paradën ushtarake, kujton “fuqinë e kujtesës dhe përkujtimit të një lufte heroike si ajo e popullit kinez, kaq e rëndësishme jo vetëm për Kinën, por për të gjithë njerëzimin në mposhtjen e nazizmit dhe fashizmit”.
“Ne po jetojmë”, shton ish-kryeministri, ndërsa në video luhet muzikë festive, “në një kohë të vështirë për marrëdhëniet ndërkombëtare. Shpresoj dhe besoj se Pekini do të dërgojë një mesazh paqeje, bashkëpunimi, rivendosjeje të një fryme miqësie midis të gjithë popujve dhe një fund të luftërave që për fat të keq përgjakën kaq tragjikisht vendet e ndryshme të botës”. Në këtë aktivitet, të organizuar për të festuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit japonez të Kinës, morën pjesë 23 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë Vladimir Putinin e Rusisë, Kim Jong-unin e Koresë së Veriut, Masoud Pezeshkianin e Iranit, Alexander Lukashenkoin e Bjellorusisë dhe kreun e juntës ushtarake birmaneze Min Aung Hlaing. Javën e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës njoftoi pjesëmarrjen e D’Alema në ceremoni, së bashku me ish-burra shteti nga vende të tjera.