Juristi Kreshnik Spahiu ka zbuluar arsyet që e çuan Sali Berishën të deklaronte se vrasjet e 21 Janarit ishin krimi shtetëror, por pa dashje.
Në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Spahiu zbërtheu deklaratën e Berishës.
Sipas tij, kryedemokrati e kishte studiuar dhe ishte përgatitur për një përgjigje të tillë, që vjen pak ditë pas deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili tha se kjo dosje është në fazën paraprake të hetimit.
“Është një deklaratë e studiuar, deklaratë që i përcjell një mesazh prokurorëve të SPAK-ut. Jo rastësisht ai ka qenë i përgatitur edhe për një trajtim të ri të çështjes së 21 Janarit, për t’ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve me një version të studiuar dhe nuk është një përgjigje rastësore.
Përgjigjia e Sali Berishës në lidhje me trajtimin juridik të çështjes së 21 Janarit, është një trajtim i studiuar dhe asistuar nga konsulentë që lidhen drejtpërdrejt me ligjin dhe të drejtën penale.
Në referencë të deklaratrave që ka bërë Altin Dumani disa ditë më parë, ka thënë që jemi në fazën e hetimit paraprak, është prioritet i Prokurorisë Speciale, është prioritet për të trajtuar detyrat që ka lënë Gjykata e Lartë dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut për ta trajtuar si krim shtetëror, por edhe elementët e pengimit të hetimit dhe zbulimit të vendngjarjes, pra për të penguar zbulimin e veprës penale, dhe për këtë arsye Berisha ka qenë i qartë juridikisht në mënyrën se si do të përgjigjej duke dhënë një alternativë që i krijon barriera vetë prokurorisë”.
Sipas Spahiut, Sali Berisha është fokusuar vetëm tek vrasje, sepse akuza tjetër për pengim të hetimeve është parashkruar dhe nuk mund të ketë hetim tjetër për të pasi kanë kaluar 10 vite, edhe nëse gjenden prova të reja.
“Jo rastësisht Berisha anashkalon elementin e pengimit të organeve të drejtësisë për të zbuluar veprën penale sepse Berisha është koshient që ajo si vepër penale është parashkruar. Duke qenë se vepra penale e pengimit parashikon një afat 10-vjeçar për parashkrimin dhe duke qenë se sot jemi në vitin 2025 dhe vepra ka ndodhur në vitin 2011, Prokuroria edhe sikur ta hetojë nuk vendos dot në akuzë Sali Berishën për këtë çështje. Dhe për këtë arsye Sali Berisha ka dhënë përgjigje vetëm për vrasje, duke i dhënë mesazh prokurorisë që edhe në këtë çështje nuk mund të bëjë më shumë për faktin se gjykata përpara 10 vitesh ka dhënë një vendim të formës së prerë, që 21 Janari konsiderohet vrasje nga pakujdesia”.
Pyetje: Nëse kanë prova të reja, quhet akoma parashtrimi?
“Për vrasjen jo. Përsa i përket pengimit, është e parashkruar dhe në çdo lloj rasti ligji të pengon edhe sikur të ketë prova të reja, që të ngarkosh me përgjegjësi penale dikë që ka penguar hetimin. Vrasja nuk ka afat të parashkruar”.