Starti zhgënjyes i kampionatit të ri nga Milani, në vazhdën e krizës sportive të kuqezinjve edhe sezonin e kaluar, ka ndezur debatet. Ivan Zazzaroni, drejtori i “Corriere dello Sport”, ngre alarmin mbi strategjinë e “Djallit”, ku prioritet duket bilanci financiar, jo fuqizimi i skuadrës. Me shitje të çuditshme dhe mungesë goditjesh të mëdha në merkato, Milani rrezikon të humbasë identitetin e tij historik, sipas Zazzaroni.
Ja analiza e tij e plotë: “Kur një klub nuk heziton ta shesë lojtarin e tij më të mirë, Reijnders te Manchester City, për të mbushur boshllëkun e lënë nga dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, dyshimet lindin në mënyrë të pashmangshme.
Kur i njëjti klub më pas shet një mbrojtës normal si Thiaw te Newcastle për 40 milionë euro, pastaj vendos ta zëvendësojë atë me një mbrojtës tjetër po aq normal si De Winter, për gjysmën e çmimit, dyshimet rriten.
Dhe kur, më në fund, për të zgjidhur problemin e qendërsulmuesit, kuqezinjtë mbështeten te një rezervë 20-vjeçare nga Sporting Lisbona, atëherë dyshimi bëhet siguri. Ky Milan, gjithnjë e më shumë në gjysmën e rrugës midis “Elliott” dhe “RedBird”, duket se ka një përparësi shumë të qartë: mbajtjen e financave në rregull.
Dhe për ta bërë këtë, atje përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në “pazarin” e merkatos (blerjen dhe shitjen e lojtarëve), duke neglizhuar atë që duhet të jetë objektivi i vërtetë; forcimi i skuadrës.
Në realitet, përparësia duhet të jetë e ndryshme; nderimi i emrit që mban Milani dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese për një trajner me përvojë dhe të suksesshëm si Allegri, së bashku me një bazë tifozësh të apasionuar dhe të përkushtuar. Duhet një grup unik, të paktën potencialisht i aftë për të synuar trofe.
Në merkaton e tij të parë të transferimeve, Igli Tare, një nga menaxherët më të mirë të merkatos se transferimeve në Europë, duket si një i panjohur. Është sikur të jetë i frenuar, i kufizuar nga “vijat e kuqe” që nuk mund t’i kapërcejë.
Kësaj skuadre, dhe Tare e di mirë këtë, i duhej urgjentisht një mbrojtës i nivelit të lartë dhe një qendërsulmues i nivelit po kaq të lartë. Në vend të kësaj, kuqezinjtë e shohin veten pa asnjërin prej tyre, por me tre organizatorë (Modric, Jashari dhe Ricci) për të përballuar vetëm Serie A.
Çështja është se Ricci, ish-lojtar i Torinos, u ble në janar për 27 milionë euro dhe është një lojtar i mirë, për hir të Zotit, por u zgjodh kur as Allegri dhe as Tare nuk ishin ende në plane, jo më në drejtim.
Misioni i një fondi si “Elliott” është i qartë: të blejë një aset, ta pastrojë nga borxhet, ta menaxhojë dhe pastaj ta rishesë. Sidoqoftë, në këtë lloj procesi sakrifikohet konkurrenca sportive.
Shpresoj të gabohem, por nëse jo, një klub serioz dhe i rëndësishëm si Milani duhet t’ua sqarojë tifozëve të tij objektivat e vërteta, filozofinë që frymëzon zgjedhjet e drejtuesve dhe çfarë synon vërtet të bëjë në të tashmen dhe të ardhmen”.