Shkodra u trondit sërish nga një atentat mafioz. Ragip Gila, 29-vjeç, qëlloi me breshëri plumbash drejt ambienteve të një lokali, ku Erogen Vaso dhe miku i tij, Armando Pali ishin duke konsumuar kafen e mëngjesit.
Si pasojë viktimë e këtij atentati mbeti Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërkohë i plagosur mbeti Erogen Vaso dhe kamarieria e lokalit, 25-vjeçarja Meri Kaceri.
Autori i kësaj tragjedie, Ragip Gila rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi në muajin mars ai kishte lënë qelinë.
Ai u lirua pas një vendimi të gjyqtarit Albert Keraj, më 4 mars 2025.
Ragip Gila ishte i akuzuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Në bazë të vendimit, Gila u deklarua fajtor dhe fillimisht u dënua me 5 vite burg, por duke u bazuar në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi iu ul me një të tretën, duke u përcaktuar në 3 vite e 4 muaj burgim.
Megjithatë, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vendosur të pandehurin në një periudhë prove prej 5 vitesh.
Gjatë kësaj kohe, sipas vendimit të marrë nga gjykatësi Keraj, i riu ishte i detyruar që të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mbante kontakte të rregullat me Degën e Shërbimit të Provës në Shkodër.
Gjykata gjithashtu urdhëroi që Gila të mos zotërojë dhe të mos përdorë armë zjarri pa leje për një periudhë prej 1 viti. Po ashtu, u vendos shuarja e masës së sigurisë së arrestit me burg, duke u urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të pandehurit nga qelia, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër.