Në një intervistë për MCN, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u shpreh se performanca e Gjykatës Kushtetuese është më e dobët se kurrë më parë. Sipas tij, detyra e kësaj gjykate, nuk është të krijojë norma ligjore, por shkon deri te kompetenca shfuqizuese.
“Më e keqja që kemi pasur ndonjëherë në 30 e ca vjet demokraci. Është gjykata më e keqe që kemi pasur ndonjëherë. Absolutisht më e keqja. Në kuptimin e performancës, në performancë është më e keqja. Nëse ka dështim në situatën post reformë, ajo është Gjykata Kushtetuese.
Nuk besoj se ka një rast Xhaçka. Rasti Xhaçka është një gjykim politik. PD, një pjesë e deputetëve mendojnë se ka një rast Xhaçka për shkak se kompania e burrit të saj po zhvillon një pronë në jug.
Janë krijuar artifica procedural për të hyrë në një debat kush ka të drejtë gjykata apo Kuvendi, kur në fakt aty kishte një vendim fare të thjeshtë, që në fillim duhet të ishte marrë ky vendim. Ka çështje Xhaçka apo jo, nëse ka merre gjykoje, nëse jo lërë. Duhet të ishte mbyllur para dy viteve kjo gjë.
Nuk e ka këtë detyrë Gjykata Kushtetuese që të krijojë norma”, tha ai.
Sipas Manjanit, të dhënat e marra nga Sky Ecc, Encrochat por dhe Matrix përdoren në mënyrë abuzive në proceset tona gjyqësore.
“Përdorimi i të dhënave të Sky ECC, Encrochat por edhe Matrix që janë platforma konfidenciale dhe nuk është vetëm për krimin, ka dhe njerëz që kanë histori që i kanë ndarë në këto platforma, mënyra si këto të dhëna janë përqasur në proceset tona penale, në një pjesë të mirë të rasteve përdoren në mënyrë abuzive. Janë të dhëna të marrë në mënyrë të paligjshme sepse kemi të bëjmë me përgjime masive”, tha Manjani.