Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër vendimit të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Portugalisë, vende të cilat një ditë më parë njoftuan zyrtarisht njohjen e Palestinës si shtet. Një zëdhënës i DASH e cilësoi vendimin si “veprim kozmetik” dhe si një “diplomacy jo serioze”.
“Ne vazhdojmë t’i japim përparësi diplomacisë serioze mbi mburrjet. Prioritetet tona janë të qarta: lirimi i pengjeve, siguria e Izraelit dhe paqja e prosperiteti për të gjithë rajonin, të cilat nuk mund të garantohen për sa kohë që ekziston Hamasi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në kushte anonimiteti, sipas Agence France Presse.
Vendimi i një dite më parë shkaktoi zemërim në Izrael. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte paralajmëruar njohjen e shtetit të Palestinës në muajin korrik nëse shteti izraelit nuk përmbush disa kushte që konsistojnë kryesisht në dhënien fund të luftës në Gaza, pranimin e armëpushimit si dhe të lejojë kalimin e ndihmave humanitare nga OKB për në Rripin e Gazës.
Megjithë, kundërshtinë dhe kritikat ndërkombëtare, Izraeli vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Së fundmi, në një raport i një Komisioni të OKB-së, thuhej se Izraeli po kryente gjenocid në Gaza.