Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë se dëshiron të organizojë një samit trepalësh midis tij, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin deri të premten e ardhshme, raporton CNN.
Sipas asaj që raporton media amerikane, Trump thotë se do të punojë për të organizuar takimin nëse bisedimet e së hënës në Zyrën Ovale me Zelenskyn shkojnë mirë.
Evropianët presin që të paktën një udhëheqës tjetër evropian t’i bashkohet bisedimeve të së hënës, por ende nuk është e qartë se kush.
Donald Trump do të flasë të hënën me Volodymyr Zelenskyn për shkëmbimin e territoreve me Rusinë.
Këtë e raporton New York Times, duke cituar disa burime, sipas të cilave udhëheqësit evropianë janë ftuar të marrin pjesë në bisedimet e së hënës.
“Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë të mbështesin një plan për të vënë fund luftës në Ukrainë duke i dorëzuar Rusisë territoret që nuk janë pushtuar, në vend që të përpiqen për një armëpushim,” shkruan New York Times.
Pas takimit me Vladimir Putinin, Trump ka hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm dhe sipas New York Times tani mendon se është e mundur të negociohet një marrëveshje paqeje e shpejtë nëse Zelensky pranon të dorëzojë pjesën tjetër të Donbasit, përfshirë edhe zonat që nuk janë pushtuar nga rusët. Si shkëmbim, Putin ka ofruar një armëpushim në pjesën tjetër të Ukrainës, përgjatë linjave aktuale të frontit, dhe një premtim me shkrim që të mos sulmojë më Ukrainën apo ndonjë vend tjetër evropian. Gjatë bisedës me evropianët, Trump nuk përmendi asnjë sanksion apo presion ekonomik ndaj Rusisë.