Prej katër mandatesh, militantët socialistë lodhen, shpenzojnë dhe sakrifikojnë në çdo fushatë elektorale për të mbajtur Partinë Socialiste në pushtet. Ata janë ata që mbushin sheshet, derdhin djersë derë më derë, shpërndajnë fletushka e flamuj, shpenzojnë kursime familjare dhe përballen me sharje e akuza në terren. Mirëpo, pas çdo fitoreje, shpërblimet politike dhe postet më të rëndësishme përfundojnë në duart e miqve dhe shokëve të Lulzim Bashës.
Shembulli i fundit është emërimi i Artur Papajanit në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Papajani nuk është as socialist, as militant i PS-së, por një ish-zyrtar i lartë i Tatimeve gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, dhe për më tepër një nga njerëzit e afërt të Lulzim Bashës. Dhe nuk është rasti i vetëm. Të njëjtin fat e kanë patur edhe emra të tjerë, të cilët pavarësisht se kanë bërë karrierë në strukturat e PD-së, sot shfaqen të rehatuar në poste të rëndësishme të administratës Rama.
Kjo lojë e dyfishtë ka krijuar një zhgënjim të madh tek baza socialiste. Sepse ata që derdhin djersë dhe mbajnë mbi shpinë fushatat, nuk marrin as një vend pune të thjeshtë në administratë. Ndërsa, nga ana tjetër, figura të lidhura me opozitën, me PD-në e Bashës, rrotullohen e përfundojnë në krye të institucioneve që menaxhojnë miliarda euro fonde.
Edi Rama e justifikon këtë sjellje me idenë e “teknicienëve” dhe “profesionistëve pa parti”. Por militantët e PS-së e dinë mirë se bëhet fjalë për klientelizëm politik, për pazare të nëndheshme me njerëz që formalisht janë opozitarë, por në fakt kanë marrëdhënie të ngushta me kryeministrin.
Ironia është se në publik socialistët thirren për sakrifica dhe “luftë kundër armikut”, ndërsa në prapaskenë, pushteti shpërndahet me shokët e armikut të djeshëm. Kjo skemë jo vetëm shkatërron besimin e militantëve te partia e tyre, por e kthen administratën në një pronë të përbashkët të një klubi të vogël njerëzish që ndajnë postet me pazare, jo me vota.
Nëse PS vazhdon ta trajtojë kështu bazën e saj, nuk është çudi që një ditë militantët të mos lodhen më për fushata. Sepse e kanë parë me sytë e tyre: lodhja është e tyre, fitorja është e Ramës, por postet janë gjithmonë për shokët e Lulzim Bashës./Pamfleti