Muli sot u zgjua i gëzuar.
E mori Albana në telefon dje në mbrëmje vonë dhe i komunikoi se nga Bregu i Fildishtë ishin anuluar zgjedhjet në Shqipëri.
– Vërtet, tha Muli i përgjumur, pasi Albana kishte harruar që ishin dy orë përpara?
– Vërtet, i tha Albana.
– Po ku është Bregu i Fildishtë?
– Poshtë Burkina Fasos, lart Ganës, këtej nga oqeani.
Në anën tjetër të oqeanit është SHBA, d.m.th në një farë mënyre ka folur dhe SHBA, tha Albana.
– Po çfarë thotë rezoluta, i tha Muli?
– Ato që shkruaja unë, tha Albana.
As ma korrigjuan, as ma lexuan, as ma dëgjuan.
Vetëm ma rregjistruan.Kur mbaroi konferenca u thashë të rregjistroj dhe unë një rezolutë.
– Patjetër, më thanë. Tani e kemi me dokumenta.
Rezoluta kërkon anulimin e zgjedhjeve dhe qeveri teknike.
Më dëgjoi ai roja i hotelit që po ja thoja në anglisht asaj gruas dhe më pyeti:
A keni shumë ushtarë?
– Jo, i thashë.
– Se ne kur bëjmë grusht shteti kemi ushtarë, tha.
– Jo jo, i thashë, do ta përmbysim me rezolutë.
-A, nuk e njoh këtë lloj ushtrie, më tha.
– Po tani, kur do vihet në zbatim rezoluta, tha Muli?
– Nuk e di, se kemi edhe atë rezolutën e miratuar në Ulan Bator në Mongoli para zgjedhjeve.
Ajo i dënonte manipulimet e pritshme në zgjedhje, kjo dënon manipulimet pasi ndodhën, kështu që ka vazhdimësi logjike.
Nëse ka ndonjë takim tjetër në Sri Lanka dhe akoma nuk është bërë qeveria teknike, atëherë do reagojnë shumë ashpër.
– Qenka lajm i madh, na shpëtove, tha Muli, se nuk kemi as zonjën Karo në parti dhe s’kishte çfarë të thoshte Doktori në konferencë për shtyp.