Muli po ndiqte sot një intervistë të Xhin Xhonit rreth detyrave që kishte grupi i ri parlamentar në Kuvend në shtator dhe objektivave që do realizonin, kryesisht lidhur me integrimin në BE, lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
I çuditur, kthehet nga Lelo.
– Po këtij kush ja ka thënë që kemi këto objektiva, se ai burri as me mua nuk ka folur. Me këtë jo e jo.
– Xhini ka intuitë politike – tha Lelo. – Dhe pak a shumë mendon se vizioni i tij është dhe vizioni i PD-së.
– Po kush është kontributi i tij për lirinë e medias? – i tha Muli.
– Ai – tha Lelo – ka kontribut real për lirinë e medias. Harrove që liroi trafikantin e drogës së Pasmaçiut, atë turkun që kërkohej për 6 tonë drogë në Gjermani? Ja bëri nderin dhe me ato para u mbajt Ora News sa ishim në pushtet dhe opozitë. Ka kontribut real. Plus pastaj që ata gazetarët që shanin Doktorin, i masakroi me gjoba.
– A nuk e dija – tha Muli – që ky ja ka bërë atë nderin Ora News-it. Duhet ta përfundojë këtë mision, t’ia rikthejë prapë asetet e drogës.
Për kontributin në gjyqësor jam i qartë vetë – tha Muli. – Drejtësia e kohës së tij është shembull i drejtësisë së pavarur. Të gjithë shpresojmë ta rikthejmë prapë atë kohë të artë, ku e njihte qeni të zonë. Shkonte Doktori për vizitë në një shtëpi, kishte gjyq të nesërmen i zoti shtëpisë, vendosej rregulli. Jo si tani që nuk kanë respekt për asnjë.
– E vërtetë – tha Lelo. – Gjithë reforma në drejtësi u bë për të hequr Xhinin. Po më mirë të kishin hequr Xhinin e mos të preknin drejtësinë, se Xhinin e bëmë deputet si e bëmë.
– Po këtë bashkëpunimin për ligjet e BE pse e ka thënë? – tha Muli. – Se nuk kemi marrë ndonjë vendim. Përkundrazi, do pengojmë çdo tentativë të Edi Ramës që bën sikur do na anëtarësojë në BE. Nuk e lejojmë kurrë të fusë Shqipërinë në BE në këtë gjendje. Pa e marrë ne pushtetin, ta rregullojmë, ta përmirësojmë imazhin e saj, nuk e lejojmë kurrë me këtë reputacion.
– Këtë besoj do ta mësojë kur të mblidhet grupi – tha Lelo, – se deri tani ka folur vetëm me ata të Lezhës, pastaj do kthjellohet kur të vijë në Tiranë./Antena/Tema