Muli sot ishte shumë i gëzuar nga deklaratat e Halla Doris, siç e quan ai Doris Pack. Deklarata e saj që beteja duhet vazhduar në Parlament e lehtësoi, pasi tani e ka më të lehtë të frenojë këta zërat për djegie mandati.
— Na shpëtoi, — i tha Lelos. — Me këto halle që kam unë, dhe dorëzimi i mandatit më duhej si qershia mbi tortë. Ma hidhnin hekurat ditën e dytë!
— Më hetojnë pse kam marrë katër apartamente nga të pastrehët në Sarandë, ndërkohë që isha drejtor i Bordit të Entit të Banesave. Po unë kam bërë investim personal për të ndihmuar Entin e Banesave. Ma gjeni një drejtor të Entit të Banesave që kur nuk i shiten apartamentet, i blen vetë! Vetëm unë jam, se vetëm mua më dhimbej puna dhe nuk duhej të dështonte. Dhe e bëra me lekët e familjes sime. Çova dy vëllezërit nga Brukseli, nusen e vëllait po nga Brukseli, motrën nga Kamza dhe u thashë: duhet të blini urgjent apartamentet e Entit të Banesave në Sarandë se po falimentojnë. Dhe më dëgjuan fjalën, sakrifikuan. Tani ma quajnë “konflikt interesi”, në vend që ta quajnë “sakrificë”.
— Merre me mend sikur të djegim dhe mandatet, çfarë na gjen!
— Ke të drejtë ti, — i tha Lelo. — Kjo është një ngjarje e madhe. Qoftë dhe për kaq, ai Genc Pollo meriton të respektohet. Duhet në raste të tilla. Sakrifica e tij vlen.
— Dhe Doktori më duket i qetë, — tha Muli. — Më tha që Doris ka të drejtë. Duhet të hyjmë në Parlament dhe të bëjmë betejën aty. Ata që thonë të djegim mandatet, bëjnë lojën e Edi Ramës.
— Po po, e sigurt, — tha Lelo. — Edhe herën e kaluar, Luli i dogji pa pyetur as Doktorin, as ne, se ne nuk e kishim lënë kurrë. Dhe doli që kishte marrë leje nga Edi Rama.