Debati i sotëm me Lelon në kafen e mëngjesit ishte shumë delikat.
– Ky Edi Rama po na hedh në erë, vëlla. I ka dhënë dje leje për 50 pallate në Farkë Gitës. Këtej e çojnë në SPAK, këtej i japin leje për 50 pallate-kulla.
E bëjnë për të na diskredituar.
– Qenka shifër e keqe, – tha Lelo, – afërsisht sa deputetë kemi. Do thonë demokratët: Rama mori 83 deputetë, Doktori mori 53 kulla.
– Duhet të mendojmë diçka të heqim vëmendjen nga kjo gjë, – tha Muli. – Do na dëshpërojë demokratët dhe do na sabotojnë revolucionin në vjeshtë.
– Po mirë dhe ky dhëndrri pse aplikon për leje kur e di si e kemi punën?
– Ai ka shpresuar se Rama nuk do t’ia jepte dhe do ta sulmonte, se po e përndiqte. Ai legeni ja dha. Tani s’ka çfarë të thotë. Tani është e qartë që e ka në krah.
– Një mënyrë është që ky Bektashi të deklarojë përsëri që kjo do jetë një kontribut patriotik për PD-në dhe të lërë të kuptohet se me këto para do financohet revolucioni.
– Po ku e hanë demokratët këtë? – tha Muli. – Pse budallenj janë ata të besojnë që Rama i jep lekë Doktorit që ta përmbysë me revolucion?
– Atëherë të shpallim që partia është e Zenit, nuk është e Gitës, – tha Lelo. – Dhe bizneset e Gitës nuk kanë lidhje me PD-në.
– Lëre, se po filluan me lejet e ndërtimit të Zenit, na fusin në varr fare, – tha Muli. – Në Ksamil i kanë dhënë vetëm atij, në Sarandë vetëm atij, në Jalë vetëm atij, në Lalëz vetëm atij.
Po ankohen gjithë oligarkët socialistë nga grindja me Zenin.
– Atëherë s’kemi ç’bëjmë, – tha Lelo. – Më mirë të marrim meritat që po i ndryshojmë faqen Shqipërisë dhe në opozitë, sesa të distancohemi.