Deklaratat e fundit të Doktorit e kanë vënë në mendime Mulin. Ai vetë nuk i është hapur Mulit, por deklaratat publike tregojnë që është i shqetësuar për Kullën “Mali i Tiranës”.
Siç dihet, pronarë të kullës me letra janë Gimja dhe Shtufi, dy “vëllezërit” e Zenit. Madje, njëri i ka dhënë “hua” edhe vilën ku jeton.
Por befas, Doktori u hodh në sulm dhe tha se kullën po e financon mafia dhe u kujtua të përgënjeshtrojë lajmet pas 2 vitesh që kulla ishte e Zenit.
– Ç’të ketë ndodhur? – i tha Muli Lelos. – Mos e kanë prerë në besë Shtufi me Gimen për katet?
– Vjen erë tradhti – tha Lelo – duket qartë. Po këto janë punë të brendshme të familjes, nuk ndërhyjmë dot.
– Na kanë vënë në pozitë të vështirë këta kriminelët tanë – tha Muli. – Ja ai takimi në Aurba na ka shkaktuar përçarje në grup, pasi ai Tur Shehu është i PD dhe e kemi pasur krah në kohë të vështira në Vlorë.
Dhe kjo vila e Gjutës, siç e di, kam pasur miqësi personale. Tani na duhet ta akuzojmë se vila është afër Kryeministrisë. Në fakt, më afër shtëpisë së Doktorit.
Por s’ke ç’i bën, politika i ka këto.
– Është një lloj kënaqësie perverse edhe kjo – tha Lelo – kur kriminelët e tu ia faturon atij tjetrit. Mjafton të mos të mërziten kriminelët.
– Mua nuk më mërziten – tha Muli – se u kam dhënë shumë dorë kur isha Ministër i Brendshëm. Linin kokën për mua. Por tani edhe ata do punojnë. Halli im është i vogël. Nëse këta vërtet i kanë prerë në besë Zenit tek Kulla, duhet të fillojmë protestat tek Kulla. Nuk duhet ta lejojmë të ngrihet. Aty kemi popullin me vete.