Duke ndjekur lajmet, Mulit iu shfaq në ekran një gazetare e informuar për kriteret që ka vënë Rama për ministrat e qeverisë Rama 4. Duke qenë se Rama ka pas si hall betejën e integrimit evropian, si kusht kryesor tha gazetarja, është që ministrat ta flasin anglishten rrjedhshëm.
– Kjo na e rrezikon Ulsiun, – i tha Lelos. – Nëse është e vërtetë që duhet të flasin anglishten rrjedhshëm, madje as Noizy nuk bëhet ministër.
– Besoj se mund të ketë përjashtime për Ulsiun, – tha Lelo.
– Po pse duhet të ketë përjashtime?
– Po se është ministër delikat. Lere çfarë thonë këta që Ulsiu është bërë ministër për arsye gjeografike, demek se është dibran. Unë mendoj se është bërë për arsye linguistike, pikërisht se nuk flet anglisht.
– Po pse, – tha Muli?
– Është post delikat Ministria e Drejtësisë, – tha Lelo. – Ka punë me SHBA dhe BE, që fusin hundët në reformën në drejtësi. Rama ka vuajtur gjithnjë nga ministra tradhtarë që flisnin kokë më kokë me ambasadorët dhe ja fusnin pas krahëve. Ulsiu nuk flet dot kokë më kokë. Kështu që Rama e ka nën kontroll. Pikërisht kjo cilësi ka për ta bërë ministër. Atë kriterin e ka për të tjerët.
– E vërtetë, – tha Muli. – Dhe Doktorin këta me anglisht e kanë tradhtuar të gjithë. Vetëm unë jam besnik.