Muli sot ishte më i qetë.
Zonja Kalaja kishte dhënë dorëheqje nga dorëheqja e saj një ditë më parë.
Edhe pse Muli u kap në befasi nga deklarata e saj e dorëheqjes, ai e mbajti veten dhe tha se zonja Kalaja do të reflektonte.
Dhe ajo reflektoi. Sot u rikthye në detyrë.
– Ka shumë rëndësi që zonja Kalaja u kthye, i tha Lelos.
Më kishte kapur një makth.
Zonja Karo iku dhe na la zyrën bosh.
Po të ikte dhe zonja Kalaja, rrezikonim shumë.
Mund të mbushej PD me gra që thonë gjëra që mendojnë vetë, pastaj.
Kjo do ishte fundi i PD.
– E vërtetë, tha Lelo.
Të dyja këto gra kanë meritë të veçantë: të përfaqësojnë identitetin e PD-së, duke thënë gjërat që duhet të thotë PD e jo gjërat që u shkojnë në mendje njerëzve kot.
Ka ardhur koha që na duhen shumë gra e burra të tillë, tha Lelo.
Pak vetë kanë mbetur të tillë.
Ja, ti, Klevesi, zonja Kalaja, herë pas here zonja Vokshi…
Nuk kemi shumë. Na duhen shumë të tillë.
Dhe nuk e kuptoj pse nuk ka shumë, tha Lelo.
Se në fund të fundit nuk po u thotë njeri të mendojnë.
Thjesht të përsërisin ato që thotë Doktori.
– E po këtu është problem, tha Muli.
Duhet të futesh në një gjatësi vale me mendjen e Doktorit dhe zemrën e tij që të përsërisësh ato gjëra.
Nuk është e lehtë për njerëzit normalë.
Duhet të kesh disa cilësi të veçanta.
Për këtë arsye ne quhemi politikanë me aftësi të veçanta, ose aftësi ndryshe.
– E qartë, tha Lelo.
Në atë familje të gjithë merren me njerëz me aftësi ndryshe.
Teta Lili merret me fëmijë me aftësi ndryshe, Doktori me politikanë me aftësi ndryshe.