Kërkesa e Mulit për përsëritjen e seancës ka ndeshur në një skepticizëm mes demokratëve, duke qenë të paqartë përse duhet të përsërisin seancën.
Lelo nuk ishte dakord për të.
— Kjo kërkesë për të përsëritur seancën është e tepërt, — i tha Mulit. — Në çdo seancë ne bëjmë çfarë të duam. Pse duhet të përqendrohemi në një betejë që nuk ia vlen, kur ato që do të themi tek seanca që do të përsëritet i themi në seancën e radhës?
— Jo, e ke gabim shumë, — i tha Muli. — Problemi ynë është se ne e prishëm seancën ngaqë nuk kishim lexuar programin e qeverisë dhe nuk kishim çfarë debatonim. Tani e kemi programin dhe mund ta bëjmë.
— Po shumë mirë, e bëjmë në çdo seancë, — tha Lelo. — Ngrihet ndonjëri, sulmon një ministër, e kështu me radhë.
— Jo, ka shumë rëndësi që të mos na e japin të drejtën, — tha Muli, — pasi kështu shpëtojmë dhe nga programi dhe nga debati për programin, dhe justifikohemi që nuk na lanë të flisnim.
— Po mirë, disa deputetë mund të bëhen gati, të përgatiten, — tha Lelo. — Për shembull Albana që lufton korrupsionin.
— Albana më çmendi sot. Kishte ardhur në SHQUP me tre palë pantallona në çantë, për të parë çfarë ngjyre i kishte Doktori. E pa që i kishte të bardha ai, i veshi dhe ajo.
— E bardha është shenjë e luftës kundër korrupsionit, — tha Lelo. — Dikur visheshim nga mesi e lart me të bardha, tani e kemi nga mesi e poshtë.
— Rëndësi ka ta kemi një shenjë të madhe, — tha Muli. — Ndaj na duhet ajo seanca. Të vishemi njëherë të gjithë me pantallona të bardha dhe bluza të zeza si konservatorë.