Muli firmosi sot ankesën ndaj vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ankesa do bëhet në Kolegjin Zgjedhor. Kjo e vonon së paku me një javë çertifikimin e zgjedhjeve.
Thirri Lelon për të diskutuar disa pika në publik.
– Me çfarë mund t’i gëzojmë demokratët pas këtij lajmi? – tha Lelo.
– Ka shumë rëndësi, – i tha Muli. – Teza e parë që do hedhësh është që këto zgjedhje u certifikuan 3 me 2 dhe jo 5 me 0 si zgjedhjet e Lul Bashës më 2021.
– E di, – tha Lelo, – por ata kanë kundërshtuar kriteret që ka përdorur Celibashi për renditjen e deputetëve. D.m.th. në rastin Lapaj ka respektuar KAS-in, kurse për Zeqinen nuk ka pritur të japë dorëheqje në Kuvend ajo që ka fituar, por ia ka njohur dorëheqjen me deklaratën në Facebook.
– E di, – tha Muli, – por kjo nuk duhet thënë. Duhet lënë në heshtje, të duket si votë kundër thelbësore.
– Dakord, – tha Lelo. – Po tjetër?
– Tjetër duhet të theksojmë që beteja e Doktorit kundër vjedhjes së votave shkoi deri në fund dhe preku çdo hallkë të institucionit të zgjedhjeve duke i certifikuar ato si institucione kriminale kundër zgjedhjeve të lira.
– Dakord, – tha Lelo. – Po realisht çfarë fitojmë nga kjo ankesë, se dihet që ata do t’i certifikojnë?
– E vërteta është se fitojmë dhe një javë kohë për të bërë këtë deklaratën e pagesës për La Civitën, – tha Muli. – Belo na ka premtuar se do flasë me La Civitën si ta bëjmë këtë javë dhe ta kopsisim që të mos kenë ku të më kapin. Se mua më kanë shënjestër pas dështimit që kanë me Doktorin këta të SPAK-ut.