Katër muaj pas fitores që i dha një mandat të katërt qeverisës Partisë Socialiste, pushteti i tij është më i qëndrueshëm se asnjëherë tjetër.
Mustafa Nano thotë se ky pushtet është më pak i cënueshëm se ai i Enver Hoxhës.
“Në një farë kuptimi, paradoksalisht, më i cenueshëm dhe më i rrëzueshëm ka qenë pushteti i Enver Hoxhës sesa është ky i Ramës. Enver Hoxhës mund t’i ndodhte një komplot ndërkombëtar ose një grusht shteti nga brenda, ndërsa Edi Ramës nuk mund t’i ndodhë asnjë lloj komploti ndërkombëtar sepse ndërkombëtarët e shohin si personazhin e vetëm me të cilin mund të komunikojnë në Tiranë, ndërsa nga brenda nuk ka se çfarë t’i ndodhë, pasi PS-në e ka bërë zap, ndërsa PD-ja është literalisht e vdekur”, tha ai për MCN
Sipas Nanos, ky pushtet që ka akumuluar Rama është si pasojë e opozitës së dobët që ka përballë:
“Jam i prirur të mendoj se shqiptarët e kanë votuar Ramën jo aq për simpati e vlerësim ndaj tij sa për mosbesim e refuzim të opozitës. Fakti që në mandatin e katërt ka marrë më shumë mbështetje sesa ka pasur në të parin, të dytin e të tretin, është për t’u regjistruar në histori. Por ne e dimë se pse ka ndodhur.
Shqiptarët refuzojnë opozitën deri në atë pikë sa janë gati ta votojnë Ramën edhe për një mandat të pestë e të gjashtë. Në opozitë bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë gjë. Ose ndoshta muk e kuptojnë vërtet.”
Nano shtoi se arsyeja pse shqiptarët zgjedhin të njëjtën maxhorancë, edhe pse e shenjuar nga skandalet, është diskreditimi i opozitës:
“E kanë hapësirën për të vepruar si opozitë, e kanë hapësirën për ta ngritur zërin në Parlament, kanë hapësirë mediatike, e kanë hapësirën për ta demonstruar forcën edhe shesheve e rrugëve, ndonëse këtë veprim politik e kanë doskredituar e zhvlerësuar tanimë. Edi Rama mund të kryqëzohet për plot gjëra, por jo sepse ka ngushtuar hapësirën e veprimit opozitar apo sepse ka ushtruar dhunë mbi opozitën.”
Lidhur me zërat ae Rama do fusë në qeverinë e re personalitete të opozitës, Nano tha:
“Pse jo? Nëse merret ndonjë sepse është me kredenciale të mira profesionale e morale, kjo do të ishte ok, por unë nuk do t’i këshilloja e lëvdoja ‘rekrutime’ të tilla në Shqipëri. Kam frikë se, nëse ndodh një gjë e tillë, ndodh për diversion. Socialistët nuk kanë pse ta pranojnë që të huazohen e të gradohen me poste njerëz nga kampi tjetër.
Përveç kësaj, opozitarët që pranojnë oferta të tilla se si më duken. Nëse kanë qëllime e dëshira të mëdha në jetë, lentë ngrejnë zërin aty ku janë, në opozitë. Nëse ka një gjë me rëndësi publike që duhet bërë në Shqipëri, kjo gjë është ringritja e opozitës. Kështu që, ata demokratët e Vlorës që janë hedhur në krahun tjetër jam i prirur t’i shoh me dyshim.”