Pas mbërritjes së “Pentagonit lëvizës” USS Mount Whitney në portin e Porto Romanos, NATO përgëzon përpjekjet e Shqipërisë në modernizimin e infrastrukturës.
Megjithatë, Aleanca Atlantike thekson se çdo përdorim ushtarak i portit do të vlerësohet vetëm mbi bazën e nevojave ushtarake të përcaktuara nga “planifikuesit e saj”, duke shtuar se procesi i përfshirjes së Porto Romanos në planet operative mbetet “ende në zhvillim”.
“Ne mirëpresim ofertat nga Aleatët për të pritur objekte të NATO-s. Lidhur me Porto Romano-n, ne përgëzojmë investimet e Shqipërisë në infrastrukturën e saj të përshtatshme”, deklaroi fillimisht një zyrtar i NATO-s për Albanian Post. “Ekspertët tanë i shqyrtojnë të gjitha ofertat e tilla bazuar në kërkesat ushtarake të përcaktuara nga planifikuesit tanë ushtarakë. Ky proces është në vazhdim”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të mirëpresë ditën e nesërme kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Bruksel.
Në takimin e tyre të fundit, u diskutua situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, mbështetja për Ukrainën dhe rëndësia e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.
Rutte e cilësoi Ramën “mik të dashur” dhe përshkroi takimin si “të mbarë”.
Rama nga ana tjetër njoftoi se NATO do të angazhohet në terminalin ushtarak të Portit të Ri të Durrësit.
Ai përmendi gjithashtu përgatitjet për Samitin e NATO-s në Tiranë në vitin 2027.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, shkruante kryeministri.
Disa muaj më parë, konsorciumi holandez Van Oord Dredging and Marine Constractor dhe ai grek me seli në Holandë, Archirodon Construction Company Limited u kualifikuan për fazën tjetër të procedurës për ndërtimin e portit të ri të Porto Romanos.
Një përpjekje e vazhdueshme
Në përmbyllje të vitit 2024, vetë Rama zbuloi gjatë një konference për media se kërkesa e autoriteteve shqiptare drejtuar NATO-s për bazën e Porto Romanos në Durrës kishte kaluar procesin e vlerësimit teknik dhe ishte në tryezën e vlerësimit strategjik të Aleancës.
“Ky do të jetë një port që do të nisë nga e para dhe për këtë arsye e gjithë eksperienca, të gjitha nevojat e adresuara e bëjnë një vepër arti në fushën e infrastrukturës publike. Jemi në terma shumë pozitive edhe me NATO-n. Kërkesa jonë ka kaluar procesin e vlerësimit teknik. Ka marrë vlerësimin më pozitiv dhe tani është në tryezën e vlerësimit strategjik, sepse kështu janë stadet e vlerësimit”, theksoi kryeministri shqiptar.
Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh më herët se diskutimet janë në një fazë të avancuar.
Gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore dhe energjetike për vitin 2025, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Balluku u shpreh se linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë.
“Sa i takon Korridorit VIII, një projekt i rëndësishëm është rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë. Korridori VIII është një korridor, jo vetëm transporti, por edhe energjetik dhe korridor sigurie. Ne jemi ulur në tryezë me drejtues të NATO-s për të shprehur dëshirën tonë për të pasur në të ardhmen në zonën e Porto Romanos jo vetëm një port komercial, por edhe një bazë të NATO-s”, tha Balluku.
Më 12 shtator të vitit të kaluar, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se rreth 54 milionë euro janë caktuar për ndërtimin e një baze detare të NATO-s në zonën e Porto Romanos në veriperëndim të Durrësit, nga shuma totale e investimit prej rreth 390 milionë euro e planifikuar për ndërtimin e një kompleksi të ri portual.
I gjithë projekti për ndërtimin e një kompleksi portual civil dhe ushtarak në Porto Romano po financohet nga buxheti i shtetit, shtoi zyrtari i lartë duke folur në Forumin e Lidhjes së Tiranës për rolin e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor në sigurinë e BE-së.