Mbledhja e përbashkët dje në Shkup mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut prodhoi 21 marrëveshje të firmosura, për të thelluar më tej bashkëpunimin tregtar, në fushën e sigurisë apo shëndetësisë.
Memorandumet e bashkëpunimit kanë të bëjnë me çështjen e integrimit në BE, në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore, në fushën e mbrojtjes për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë si dhe në sektorin e energjisë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të bashkëpunojnë edhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke ngritur task-forca të përbashkëta për të goditur grupet kriminale.
bahiscikiz.com
Po ashtu, në sajë të marrëveshjeve të firmosura, mes dy vendeve do të njihen licencat e profesionistëve të shëndetësisë dhe do të lehtësohen barrierat në fushën farmaceutike. Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkup, pala shqiptare ra dakord për ndërtimin e një porti të thatë në Strugë, me të njëjtën filozofi si me marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë e Kosovës qershorin e kaluar. Ndërtimi i portit të thatë kërkon infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore.
Gjithashtu, palët ranë dakord për ndërtimin e një autostrade që lidh dy vendet si dhe rindërtimin e linjës hekurudhore ekzistuese Durrës-Pogradec. Dakordësia mbi hedhjen e firmës në letër nuk duket se reflektonte kthjelltësinë mbi autorësinë e propozimit, të cilin palët ia faturuan njëra-tjetrës. Ai që erdhi me propozime konkrete për bashkëpunimin ishte zëvendëskryeministri shqiptar në kabinetin e Kovaçevskit. “Hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, lidhjen e dy autostradave tona në ‘Korridorin 8’, lidhjen hekurudhore ShkupDurrës dhe e treta që është në fakt një ide dhe nismë e Kryeministrit Rama, ‘Porti i Thatë’, kalon në Strugë”, tha Grubi.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se mbledhja e qeverisë shqiptare me qeverinë e Maqedonisë së Veriut ka qenë produktive, teksa përmendi edhe marrëveshjet e nënshkruara. Në një konferencë të përbashkët me homologun maqedonas, Rama tha se aktet e dakordësuara krijojnë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së ndërveprimit mes palëve. “Kemi pasur një mbledhje produktive, kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi intensiv, pjesë e punës organike të qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me njëratjetrën. Kemi dakordësuar edhe 3 nisma të propozuara nga Artan Grubi që kanë të bëjnë me portin e thatë në Strugë, hapjen e vendkalimit të ri kufitar dhe ‘Korridorin 8’. Kemi rënë dakord që sa i takon projektit paraprak të ‘Portit të Thatë’, ta marrë përsipër qeveria shqiptare në kuadër të marrëveshjes që ka me kompaninë holandeze.
Besojmë që ne krijojmë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes shteteve tona gjë që ka qenë edhe qëllimi parësor dhe mbetet qëllimi parësor i ‘Ballkanit të Hapur’, por edhe i Procesit të Berlinit. Takohemi në një moment sfidues për Europës, krahun perëndimor të Rusisë, pjesë e të cilit jemi dhe ne që edhe pse nuk e kemi nisur luftën në Ukrainën, vuajmë pasojat”, deklaroi z. Rama. Ministrja Belinda Balluku veçoi memorandumin në sektorin e energjisë që do të shërbejë për të lehtësuar efektet e krizës për të dy vendet. Një tjetër marrëveshje lidhet me ndërtimin e portit të thatë në Strugë apo edhe për vijimin e projektit për ndërtimin e autostradës “Korridori i Tetë”, duke kërkuar mbështetje financiare edhe nga BE. “Korridori i tetë një ndër projektet më të rëndësishme për vendet tona, do të lidhte Mesdheun me Detin e Zi. Të ngremë zërin që të financohemi nga fondet e BE-së për ndërtimin e këtij projekti”, theksoi Balluku.
Propozimet, Grubi: Pikë e re kufitare dhe linjë hekurudhore
Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, bëri dje tre propozime në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dje në Shkup. Ai kërkoi krijimin e një pike të re kufitare, ndërtimin e linjës hekurudhore Shkup-Durrës dhe përfundimin e ndërtimit të Portit të Thatë në Strugë. Ndalur në këtë pikë, ai u shpreh se kjo do të mundësojë qasjen në det të një vendi pa det siç është Maqedonia e Veriut. “Kongresi i Manastirit është një nga arritjet më të mëdha të kombit shqiptar.
Ku ishim dje dhe ku jemi sot. Ju Kryeministër keni një rol të jashtëzakonshme këtu në RMV për të gjitha komunitetet. Në aspektin e të drejtave kombëtare gjuha shqipe është zyrtare. Flamuri shqiptar është zyrtar. Kemi tre universitete në gjuhën shqipe. Në të gjithë nivelet flitet shqip. Nuk është më tabu që kryetari i kuvendit, i gjykatës apo i federatës të jetë shqiptar. Por nuk është tabu as sot dhe as nesër që kryeministri të jetë shqiptar. Me Shqipërinë kemi marrëdhënie vëllazërore dhe bilaterale dhe në aspektin rajonal. I bashkëngjitëm mbështetjes së plotë edhe për Procesin e Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Propozoj disa pika shtesë për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, formimin e komisionit të përbashkët të ekspertëve që do të përcaktojë vendndodhjen e rrugëve, çështjet ligjore dhe ato me interes të përbashkët.
Kjo ka të bëjë me lidhjen e autostradave tona me korridorin tetë. Kemi miratuar ligjin në kuvend dhe jemi në pritje të firmosjes së kontratës në mes të dhjetorit me shpresë se do të bëhet një vendkalim tjetër që do të ulë koston me dhjetëra miliona euro të ndërtimit të autostradës. Ky komision do të marrë vendime për qeveritë e dy vendeve. E dyta, ka të bëjë me lidhjen hekurudhore Shkup Durrës që dy qeveritë tona të angazhohen për përfundimin e saj. E treta që është një ide e Kryeministrit Rama. Bëhet fjalë për Portin e thatë në Strugë, qeveritë e dy vendeve të kryejnë studimin për ndërtimin e një zone në formën e një porti të Thatë për ngarkesat që vijnë nga Porti i Durrësit. Dua të falenderoj kryeministrin Rama që na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit”, deklaroi Grubi.
Marrëveshjet që u nënshkruan
Memorandum bashkëpunimi për çështjen e integrimit në BE ndërmjet Sekretariatit për Çështje Europiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Ministrit të Shtetit, Kryenegociatorit të Republikës së Shqipërisë.
Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e trajnimeve.
Memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore.
Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për formimin e ekipeve të përbashkëta të punës në sferën e sigurisë.
Protokoll ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-Thanë.
Protokoll ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Administratës Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Protokolli zbatues ndërmjet Ministrisë së Financave – Drejtoria e Doganës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria për Financave dhe ekonomisë – Drejtoria gjenerale për doganë e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e marrëveshjes në mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e vendkalimit të përbashkët kufitar në mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, i nënshkruar më 10.06.2021 në Tiranë për vendkalimin ndërkombëtar Qafë-Thanë (Republika e Maqedonisë së Veriut – Qafë – Thanë Republika e Shqipërisë).
Memorandum Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e Financave Publike dhe Procesit të Aderimit në Bashkimin Europian ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë.
Memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë.
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë.
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë lidhur me lekturën/redaktimin gjuhësor të gjuhës shqipe.
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës të Republikës së Shqipërisë lidhur me zbatimin e gjuhës së shenjave të gjuhës shqipe.
Programi për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë në fushën e arsimit dhe shkencës për periudhën 2023-2026.
Memorandum bashkëpunimi në fushën e politikës sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës.
Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet Liqenit të Ohrit.
Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim për zhvillimin e lidhjes rrugore.
Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës të Republikës së Shqipërisë në fushën e digjitalizimit.