• KONTAKT
  • NËSE KENI PËR TË DENONCUAR NJË RAST ABUZIV APO KORRUPSIONI KONTAKTONI ME SMS REDAKSINË NË NUMRIN: (+355) 0682101111
Saturday, September 13, 2025
  • Login
Ekskluzive
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Telefoni Prishur
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Telefoni Prishur
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor
No Result
View All Result
Ekskluzive
No Result
View All Result

Një miqësi e ndërtuar mbi interesat: A mund ta rrëzojë Rupert Murdoch i “Fox News”, Donald Trump-in?

July 25, 2025
in Bota

Nga Jo Adetunji, The Conversation

Nëse Rupert Murdoch-u shfaqet si kalorësi i bardhë që i del përballë një presidenti amerikan mujshar, atëherë bota është kthyer përmbys.

Sepse bëhet fjalë për manjatin mediatik, televizioni amerikan i të cilit, Fox News, mbështeti aktivisht Gënjeshtrën e Madhe të Donald Trump-it për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për këtë arsye pagoi një shumë prej 787 milionë dollarësh amerikanë si zgjidhje gjyqësore.

Është gjithashtu rrjeti që furnizoi me anëtarë disa figura të ngushta të rrethit të Trump-it, përfshirë ish-prezantuesin e Fox-it dhe tashmë sekretarin e mbrojtjes, figurën kontroverse, Pete Hegseth-in.

Por ja ku jemi: Trump depozitoi me 18 korrik një kallëzim ligjor pas publikimit nga gazeta financiare e Murdoch-ut, The WallStreet Journal, të një artikulli për një kartolinë të vizatuar me dorë, që pretendohet se Trump-i ia kishte dërguar agresorit seksual Jeffrey Epstein-it në vitin 2003. Gazeta raportoi:

​”Dy harqe të vogla përfaqësojnë gjinjtë e një gruaje dhe nën belin e saj ndodhet një firmë me emrin “Donald”, duke imituar qimet pubike”

The Journal tha se e kishte parë letrën por nuk e ribotoi. Pretendohet se letra përfundonte me: “​Gëzuar ditëlindjen, dhe qoftë çdo ditë një sekret tjetër i mrekullueshëm”.

Kartolina duket të ketë qenë kontributi i Trump-it në një album urimesh për ditëlindjen e Epstein-it, i përpiluar nga partnerja e tij Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar pasi u shpall fajtore për trafikim seksual në vitin 2021.

Trump u zemërua jashtë mase. Ai u tha ndjekësve të tij në rrjetin Truth Social se e kishte paralajmëruar Murdoch-un se letra ishte e rreme. Ai shkroi:

“Z. Murdoch tha se do të kujdesej për këtë, por nuk pati fuqinë për ta bërë”, duke iu referuar faktit se Murdoch ia dorëzoi drejtimin e News Corporation djalit të tij të madh, Lachlan-it, në vitin 2023.

Trump ndodhet mes dy zjarresh. Nga njëra anë është The WallStreet Journal, një gazetë e respektuar që i flet një audience të pasur e të arsimuar amerikane, e cila mbetet thellësisht skeptike ndaj nismave radikale të Trump-it për tarifat tregtare, të cilat gazeta i ka përshkruar në një editorial si “lufta tregtare më idiote në histori”.

Nga ana tjetër është baza MAGA, e etur për teori konspirative, e cila prej vitesh është ushqyer me idenë se vetëvrasja e dyshimtë e Epstein-it në vitin 2019 ishte pjesë e një komploti të madh që përfshinte “shtetin e thellë”, elitën demokrate dhe, padyshim, Clinton-ët.

Trump, i cili adhuron mundjen keç dhe teatralitetin e saj të ekzagjeruar, mund ta paraqesë këtë padi kundër Murdoch-ut si një përplasje titanësh, në stilin e Hulk Hogan-it kundër Andre Gjigantit të viteve ’80.

Një miqësi e ndërtuar mbi interesat

Marrëdhënia mes Murdoch-ut dhe Trump-it është e vjetër, por e ndërlikuar. Çelësi për ta kuptuar atë është fakti se të dy janë përfitues të ftohtë dhe të pamëshirshëm.

Ekspozimi i Trump-it në tabloidin e Murdoch-ut, New York Post, gjatë viteve ’80 dhe ’90 ishte thelbësor për ndërtimin e famës së tij.

Jo se Murdoch-u e pëlqen shumë Trump-in. Është e vërtetë që ai mori pjesë në inaugurimin e dytë të Trump-it, ndonëse në një rresht të pasmë, pas drejtuesve të preferuar të teknologjisë së madhe. Ai u pa gjithashtu disa ditë më vonë në Zyrën Ovale, shumë komod.

Por kjo ishte thjesht politikë spektakli dhe shfaqjeje fuqie, jo sjellje e një miku të vërtetë.

Mos harroni përçmimin e Murdoch-ut kur dëgjoi se Trump-i po mendonte të kandidonte para zgjedhjeve të 2016-ës, dhe më vonë përkrahjen që i dha Ron DeSantisit gjatë zgjedhjeve paraprake para mandatit të dytë të Trump. Heroi politik i Murdoch-ut ka qenë gjithmonë Ronald Reagan. Trump e ka shkatërruar Partinë Republikane të Reagan-it.

Murdoch-u e di atë që e di pjesa tjetër e Amerikës së arsyeshme: Trump është të paktën i çuditshëm, në mos i rrezikshëm. Kjo, sigurisht, e bën edhe më të tmerrshëm faktin që Murdoch-u ndihmoi ngritjen e Trump-it në pushtet dhe që Fox News vazhdoi ta përkrahë edhe më pas.

Por, në përputhje me mënyrën sesi Murdoch-u i është qasur pushtetit gjatë gjithë karrierës së tij, atë që ndihmon për ta ndërtuar, e ndihmon edhe për ta rrënuar. Ndoshta tani i ka ardhur radha Trump-it të shkatërrohet. Siç i tha një ish-bashkëpunëtor i Murdoch-ut gazetës The Financial Times fundjavën që kaloi:

​“Ai po teston: A po e humbet Trump-i bazën e vet? Dhe ku duhet të jem unë që të mbetem në qendër të kësaj baze?”

Dhe pikërisht këtu qëndron avantazhi i madh dhe kërcënimi i afërt i Murdoch-ut.

Një thikë me dy presa

Avantazhi qëndron te shtrirja e perandorisë mediatike të Murdoch-ut, e cila funksionon si një federatë e titujve të ndryshëm, secili me tregun dhe aspiratat e veta. Ndërsa FoxNews i shërben bazës MAGA, dhe New York Post josh audiencën urbane të Nju Jorkut, Wall Street Journal u flet dhe dëgjon qarqet e biznesit.

Çdo audiencë ka nevoja të ndryshme, prandaj shpesh i prezantohet i njëjti lajm në mënyra shumë të ndryshme, ose madje lajme krejtësisht të ndryshme.

Si një federatë, News Corp përdor operacionet e veta për të shtyrë llojin e ndryshimeve që ndikojnë në të gjithë tregun.

Mund të ndodhë kështu: The Wall Street Journal publikon një histori kaq tronditëse sa fillon të lëkundë besnikërinë e verbër të bazës MAGA ndaj Trump-it. Ky proces ndihmohet me dëshirë nga pjesa tjetër e medias. Valët që krijohen më pas mund t’i lejojnë Fox News dhe Post-it që, me kujdes, t’i çojnë audiencat e tyre në drejtim të dyshimit, dhe ndoshta një ditë edhe të kritikës ndaj Trump-it.

Por rreziku qëndron se, para se kjo valë të rritet, Murdoch-u mbetet jashtëzakonisht i cenueshëm ndaj sulmeve nga një Trump që ende dominon. Ai mund të shpërfillë me lehtësi Fox News dhe të kthejë bazën konspirative kundër rrjetit me një postim në rrjetet sociale. Dhe këtë po e bën tashmë: Trump ka deklaruar se mezi pret ta shohë Murdoch-un në vendin e dëshmitarit përballë tij në sallën e gjyqit.

Nëse audienca e Fox-it vendos se është vetë pronari ai që po përpiqet të diskreditojë Trump-in, ata mund të vendosin të braktisin kanalin që vetë preferojnë, edhe pse programet e Fox-it nuk kanë filluar ende t’i vënë në pikëpyetje veprimet e Trump-it.

Frika nga reagimi i audiencës ka qenë një faktor kyç për FoxNews kur përhapi Gënjeshtrën e Madhe pas humbjes së Trump-it në vitin 2020. Dhe frika se audienca mund të largohet drejt Newsmax-it apo ndonjë medie tjetër të ekstremit të djathtë mbetet po aq reale edhe sot.

Historia e mbushur me mashtrime

Duhet të marrim në konsideratë edhe mundësinë që Trump të ketë të drejtë. Po sikur letra të jetë një falsifikim?

Murdoch-u ka një histori me zbulime të bujshme që më pas rezultojnë të jenë trillime. Kush mund t’i harrojë ditarët e Hitlerit në vitin 1983, për të cilët tani e dimë se Murdoch-u e dinte që ishin të rremë para se t’i publikonte?

Mendoni edhe për fotot e Pauline Hansonit, në të cilat pretendohej se pozonte me të brendshme, të gjitha të hedhura poshtë shpejt si të falsifikuara pasi u botuan në tabloidet australiane të Murdoch-ut në vitin 2009.

Po ashtu, fushata e turpshme dhe qëllimisht e gabuar e gazetës The Sun kundër Elton John-it në vitin 1987, dhe përbuzja e vazhdueshme që i bëri popullit të Liverpulit pas tragjedisë së stadiumit Hillsborough në vitin 1989.

Por, edhe pse News Corp e Murdoch-ut ka një histori falsifikimesh, Wall Street Journal ka reputacion për raportim të drejtë, edhe pse me një qasje konservatore. Që nga momenti kur Murdoch-u e bleu këtë gazetë në vitin 2007, ajo ka qenë në një betejë të brendshme për ruajtjen e standardeve editoriale.

Media që dorëzohen

Ajo që Trump nuk do të marrë nga Murdoch-u është dorëzimi që ka pasur nga rrjetet televizive amerikane ABC dhe CBS, të cilat i kanë paguar dhjetëra miliona dollarë dëmshpërblime pas pretendimeve shpifëse të Trump mbi mënyrën e raportimit të tyre.

Në dhjetor 2024, pronari i ABC-së, Disney, pranoi të paguante 15 milionë dollarë amerikanë për bibliotekën presidenciale të Trump-it. Presidenti kishte ngritur padi pasi një prezantues tha se Trump ishte shpallur fajtor për përdhunim ndaj E. Jean Carroll-it.

Në fakt, Trump ishte shpallur fajtor nga një juri në një gjyq civil për abuzim seksual dhe shpifje ndaj Carroll-it, dhe u urdhërua t’i paguante asaj 5 milionë dollarë amerikanë.

Edhe kompania mëmë e CBS-së, Paramount, veproi në mënyrë të ngjashme pasi u padit nga Presidenti, duke rënë dakord në fillim të korrikut për të bërë një marrëveshje dhe për të paguar 16 milionë dollarë amerikanë për bibliotekën presidenciale të Trump-it. Kjo ndodhi pavarësisht se më parë kishin deklaruar se rasti ishte “krejtësisht i pabazë”.

Kujdes nga mikroskopi ligjor

Nga këndvështrimi i Trump-it, dy kompani të mëdha mediatike janë gjunjëzuar. Por fushata e tij kundër mediave kritike nuk ndalet këtu.

Javën e kaluar, Kongresi miratoi një ligj që anulon financimin federal për dy rrjetet mediatike të shërbimit publik në SHBA: Public Broadcasting Service (PBS) dhe National Public Radio (NPR).

Po atë javë, CBS njoftoi anulimin e emisionit komik të Stephen Colbert-it, i cili ishte shumë kritik ndaj Trump-it, edhe pse CBS pretendon se ky ishte vetëm një vendim për kursim shpenzimesh dhe jo për të qetësuar një president autokrat.

Nëse letra e përmendur për ditëlindjen e Epstein-it rezulton e vërtetë, Murdoch-u nuk do të gjunjëzohet aq lehtë. Dhe pikërisht në këtë pikë duhet të fillojmë të vëzhgojmë me kujdes, sepse në një moment të caktuar, avokatët e Trump-it do ta paralajmërojnë për rreziqet që vijnë nga procesi i marrjes në pyetje dhe zbulimit të provave: procedura ligjore që detyron palët në një mosmarrëveshje të zbulojnë atë që kanë dhe atë që dinë.

Nëse dosjet e Epstein-it e implikojnë Trump-in, lufta ligjore nuk do të zgjasë shumë dhe fushata mediatike kundër tij vetëm sa do të përshkallëzohet.

Aktualisht kemi përballë një skenar ku Murdoch-u mund të bashkohet me një tjetër manjat të zhgënjyer, Elon Musk-un, në një kryqëzatë morale kundër Trump-it, njeriut që të dy e ndihmuan të ngrihej. Pasojat janë marramendëse.

Next Post

Të rinjtë në Kosovë përdhosin flamurin kuqezi: VIDEO që ka ndezur polemikat

Jeta ime u kthye në ferr kur mafiozët më fajësuan për rënien e tyre…

Pse flamuri shqiptar u gris dje në Kosovë?

© Copyright 2013 Ekskluzive.al - All Rights Reserved

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor

© Copyright 2013 Ekskluzive.al - All Rights Reserved