Holanda ka refuzuar propozimin e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, për të kufizuar të drejtën e vetos gjatë procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, mes tyre edhe Shqipëria.
Kryeministri në detyrë Dick Schoof u shpreh se “ne nuk duam rrugë të shkurtra”, duke theksuar se çdo hap i ri në negociatat e pranimit duhet të marrë miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare.
Ai shtoi se vendi i tij nuk do të pranojë kompromis kur bëhet fjalë për kushtet e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Propozimi i Costës kishte për qëllim të shmangte bllokadat e përsëritura nga vende si Hungaria, e cila ka penguar hapat e rinj të Ukrainës dhe Moldavisë në rrugën drejt BE-së.
Sakaq, përveç Holandës, edhe vende të tjera si Bullgaria, Greqia dhe Qiproja kanë kundërshtuar ndryshimin e rregullave, pasi duan të ruajnë të drejtën e vetos për çështje që lidhen me pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Ndërkohë, ndryshe nga qëndrimi për zgjerimin e BE-së, Holanda është treguar më e hapur për mundësinë e anashkalimit të vetos së Hungarisë në sanksionet kundër Rusisë, duke e konsideruar këtë një çështje të veçantë që lidhet me sigurinë dhe presionin ndaj Kremlinit.
Çdo ndryshim i procedurave kërkon pëlqimin e plotë të të gjitha 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.