Dokumentet zyrtare faktojnë se të pandehurit për aferën “Partizani”, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi, janë ortakë në të paktën 11 komplekse pallatesh dhe vilash, ndërsa SPAK hesht për bilancet false dhe pasuritë e sekuestruara që vazhdojnë të operojnë…
Pas publikimit të lajmit nga “Pamfleti” më 28 qershor 2024 për ndërtimin e kompleksit “Ballada” në Farkë, Jamarbër Malltezi reagoi me tone kërcënuese ndaj mediave, duke mohuar çdo lidhje me Fatmir Bektashin dhe duke e quajtur “shpifje”. Por dokumentet zyrtare tregojnë të kundërtën: që nga marsi 2020, të dy janë ortakë me nga 50% në kompaninë “Kontakt&Magnet IMO Sh.p.k”, ku kanë bashkuar përkatësisht kompanitë e tyre “Magnet IMO” dhe “Kontakt”.
Ortakëria e padeklaruar Malltezi-Bektashi: Kompleksi “Ballada”
Përmes kësaj kompanie, dy të pandehurit në gjykim për aferën e truallit të ish-kompleksit “Partizani”, kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë një seri kompleksesh në zonat periferike të Tiranës si “Phoenix”, “Ursa”, “Leo”, “Sirius”, “Mangalem 21”, “Marga”, “Magnet”, “Kaimi”, “Kadiu”, “OXA”, “SiRi”, “ABA”, “Nokia” dhe së fundmi “Ballada” në Farkë dhe “Pyjet e Drilonit” në Pogradec.
Të gjitha këto leje janë dhënë me bekimin politik të qeverisë, ndërsa për “Ballada”-n, leja është dhënë direkt nga Edi Rama. Projekti në Drilon ende nuk ka leje ndërtimi, por ka marrë dritë jeshile në mënyrë informale.
Kompania “Kontakt&Magnet IMO Sh.p.k” ka ndërtuar e shitur 1440 apartamente dhe 218 vila, ndërkohë që ka raportuar në bilanc humbje, një fakt që SPAK nuk po e heton. E njëjta heshtje vlen edhe për origjinën e pronave ku janë ngritur këto komplekse ndërtimi.
Një tjetër skandal lidhet me faktin që kompania “Magnet IMO”, 100% në pronësi të Jamarbër Malltezit, është nën sekuestro me vendim të GJKKO që prej 30 tetorit 2023. Për të është emëruar administratore shtetërore Eglantina Osmanlli, por në regjistrat zyrtarë administrator vazhdon të jetë Vladimir Xheka, njeri i afërt me Malltezin.
Ortakëria e padeklaruar Malltezi-Bektashi: Kompleksi “Ballada”
SPAK deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim ligjor mbi vijimin e aktivitetit të kësaj kompanie të sekuestruar, as mbi ortakëritë në vijim mes dy të pandehurve, e aq më pak mbi lejet që vazhdojnë të lëshohen për ta.
Kjo situatë ngre dyshime serioze për selektivitet në hetim dhe për funksionim fiktiv të masës së sekuestrimit. Përballë kësaj, heshtja e prokurorisë speciale e bën edhe më të qartë se afera “Partizani” është vetëm maja e një piramide të madhe ndërtimore e financiare që ka marrë bekimin e të gjitha niveleve të pushtetit./Pamfleti