Legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Shqipërisë nis punën brenda shtatorit pas dekretimit të datës nga Presidenti i Republikës, kur 140 deputetët e zgjedhur më 11 maj do të ulen në sallën e Kuvendit.
Seanca e parë është thjesht konstituive dhe drejtohet, sipas rregullores, nga deputeti më i vjetër në moshë. Edhe këtë herë radha i takon Sali Berishës, por në rast se do të refuzonte, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, drejtimin mund ta marrë Tritan Shehu ose socialisti Vasil Llajo.
Parlamenti i ri do të ngrejë një komision të përkohshëm për të verifikuar mandatet e deputetëve. Këta të fundit më pas do të bëjnë betimin para se Kuvendi të nisë funksionimin normal.
Socialistët kanë shumicën me 83 mandate. Sfida e tyre e parë është formimi i qeverisë së re.
Kryeministri Edi Rama pritet të paraqesë programin dhe ekipin qeveritar brenda 10 ditësh nga nisja e legjislaturës. Kabineti “Rama 4” do të kërkojë votëbesimin me të paktën 71 vota, përpara se të bëjë betimin te Presidenti i Republikës.
Demokratët dhe aleatët morën 50 mandate. Në të njëjtën kohë do të strukturohen edhe grupet parlamentare. Opozita pritet të krijojë tri grupe, ndërsa partitë e vogla ende nuk janë pozicionuar, duke lënë të hapur mundësinë për t’u bërë pjesë e forcave të mëdha, për të formuar një grup të ri apo për të vepruar të ndara.
Kështu do të ngrihet mozaiku i ri politik që do të përcaktojë ekuilibrat në Kuvend për katër vitet e ardhshme.