Parlamenti do të plotësojë sot vakancat e krijuara në shumë institucione. Shumë prej anëtarëve të enteve publike e kishin përfunduar prej kohësh afatin e qëndrimit në post dhe deri tani nuk është bërë asnjë lëvizje, për shkak edhe se fokusi i vendit është në shëndetësi dhe përballimin e pandemisë.
Ndërsa janë verifikuar të gjitha vakancat në institucionet është vendosur që në seancën e sotme plenare të plotësohen të gjitha. Në një dokument të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit njoftohet se pritet të plotësohet një vakanca e krijuar në ILDPK.
Sipas kërkesës së dorëzuar nga Komisioni i Ligjeve, ky institucion ka një vend vakant të krijuar për postin e Inspektorit të Përgjithshëm dhe janë dorëzuar 6 kandidatura. “Komisioni për çështjet Ligjore në fund të mbledhjes miratoi vendimin e tij ku vendosi shpalljen e vakancës së krijuar dhe ftoi paraqitjen e kandidaturave.
Në përfundim të afatit të dorëzimit të dokumentacionit, rezultoi se depozituan kandidaturat; Dhimitrula Spiro, Helena Pepa, Evgjeni Bashari, Evis Fico, Lefterije Lleshi, Eridian Salianji”, thuhet në dokument. Në fund u miratuan emrat e zonjës Papa dhe Bashari. Një tjetër pozicion që do të plotësohet sot është edhe ai i Inspektoratit të Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, si një vakancë e krijuar që në shtator.
“Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”. Ligji nr. 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar, kërkohet shumicë e thjeshtë votash për miratim. Bazuar në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Komisioni i Ekonomisë në mbledhjen e datës 30 shtator 2020, evidentoi vakancën për vakancën e krijuan në pozicionin e Inspektoratit të Përgjithshëm, si rrjedhojë e përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Merita Bejtja”, sqarohet në dokument.
Kandidaturat në RTSH dhe AMF
Gjithashtu do të plotësohet edhe një vend vakant në AMF në bazë të projektvendimit “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”. Sipas dokumentacionit të dorëzuar nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave kërkohet shumicë e thjeshtë votash për miratim.
Ndërsa bëhet e ditur se brenda afatit janë dorëzuar 6 kandidatura; Julian Naqellari, Sonila Rreshka, Endri Bushati, Pajtim Melani, Onorita Jata dhe Olsi Çoku. Ndërsa një tjetër dokument i dorëzuar nga Komisioni për Edukimin kërkon plotësimin e vakancave të krijuara në RTSH, në bazë të projektvendimit “Për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio – Televizionit Shqiptar”, që do të kërkojë shumicë të thjeshtë votash për miratim.
Ajo çka vihet re është se tre anëtarët e kanë përfunduar afatin që në janar të 2019. Prandaj në mars janë dërguar edhe 7 kandidatura, që do të vlerësohen ditën e sotme në Parlament. Konkretisht për në RTSH kanë aplikuar: Altin Hazizaj, Ardita Reci, Genc Përmeti, Genc Tomco, Ilir Keko, Laureta Roshi, Lulzim Alushaj.
Ndryshime në Kodin Penal
Ndër të tjera bëhet e ditur se, si pjesë e rendit të ditës në seancën plenare të ditës së sotme, do të kalojnë për rivotim: Amendamente për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Sipas këtij dokumenti do të kërkohet shumicë e cilësuar votash për miratim, 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Ndryshime do të pësojë neni 2 i ligjit për përjashtimin nga dënimi për krimet në fushën e zgjedhjeve, i cili me marrjen e votave të nevojshme do të zbatohet në këtë formë; Personi që ka kryer një ose më shumë vepra penale të parashikuara në kreun e këtij Kodi, i cili bashkëpunon dhe ndihmon organet e ndjekjes penale për hetim, si dhe për zbulimin e personave të tjerë, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale ose autorët e veprave të tjera përjashtohet nga dënimi për veprën penale të kryer prej tij.