Mero Baze
Ka një debat të madh mbi shkatërrimin e arsimit cilësor në Shqipëri pas vitit 1990. Konstatimi është i vërtetë. Ai filloi të degradojë bashkë me arsyet përse arsimi ishte i fortë në komunizëm dhe përse nuk pati më arsye që të kishim një arsim cilësor me mënyrën se si e ndërtuam kapitalizmin.
Unë i përkas brezit të studentëve që e përfunduan shkollën në vitin e fundit të komunizmit. Përveç një sistemi të shëndetshëm arsimor që nga shkolla fillore deri në universitet, unë dhe shokët e mi kishim një motiv shumë të fortë për të qenë nxënës të mirë e më pas studentë, një motiv që e impononte shoqëria e asaj kohe: Nëse unë do të përfundoja në universitet si nxënës i mirë, atëherë jeta ime ndryshonte rrënjësisht dhe perspektiva e saj ishte e ndryshme nga dikush që nuk arrinte dot deri në universitet.
Problemi ishte se për të shkuar në universitet, sistemi ishte meritokratik. Përveç bashkëmoshatarëve të mi që privoheshin nga biografia, së paku deri në vitin 1983-1984, të tjerët hynin brenda një sistemi konkurrues bazuar mbi cilësinë e notave të merituara.
Duke shkuar në universitet, ti kishe siguruar punën e përjetshme, kishe shmangur shërbimin ushtarak dhe kishe fituar një status të ri në shoqëri.
Pas vitit 1990 kjo situatë ndryshoi. Të qenurit student nuk ishte i lidhur detyrimisht me një punë sipas diplomës që kishe marrë dhe nuk kishe një status më të rëndësishëm në shoqëri. Nga ana tjetër, sistemi universitar filloi të devijojë nga parimet e konkurrencës, të cilat u zëvendësuan nga korrupsioni dhe degradimi i standardeve universitare deri në shkatërrim.
Dërmën përfundimtare ja dhanë pastaj nismat populiste për të pajisur çdo shqiptar me të paktën një diplomë përmes universiteteve që ishin shtypshkronja diplomash.
Ky është momenti kur arsimi i lartë në Shqipëri u kthye në një institucion kriminal, pasi degradoi çdo standard të arsimit dhe humbi çdo kuptim për arsyet përse duhet të studioje për tu diplomuar, kur atë mund ta blije.
I vetmi shpëtim mbetën studentët e paktë shqiptarë që kishin mundësi financiare dhe filluan të shkolloheshin në Perëndim. Ata së paku ju nënshtruan një sistemi konkurrues, por shumë prej tyre mbetën në Perëndim. Sipas statistikave të sotme, Shqipëria ka çdo vit në Perëndim afërsisht po aq studentë sa kishte Universiteti i Tiranës në kohët e komunizmit, pra rreth 20 mijë. Kjo shifër tregon se bërthama dijedashëse shqiptare ekziston, por është e eksportuar jashtë Shqipërisë.
Rikthimi i studentëve të shkolluar jashtë në Shqipëri është një proces problematik, pasi tregu shqiptar është i padobishëm për ta, pasi nuk kemi më një treg cilësor pune, që duhet të bazohet te dija e thellë. Maksimumi ata mund të sistemohen në ndonjë vend pune në administratë ku ka nevojë për kualifikime speciale, por disniveli i pagave edhe aty i mban larg.
Tregu i punës në Shqipëri ka degraduar bashkë me arsimin dhe ata mbajnë njëri-tjetrin peng. Kapitalizmi pa rregulla i Shqipërisë nuk bazohet më te meritat apo dijet, por te lidhjet personale, financiare dhe besnikëria në biznes. Shqipëria ka pak kompani të mëdha të natyrës korporative që të rekrutojnë njerëz të ditur që t’u shërbejnë kompanive të tyre. Shumica e bizneseve është i bazuar te lidhjet personale apo fisnore dhe jo te meritat arsimore.
Njerëzit më të famshëm të vendit nuk janë më njerëzit e lexuar apo të arsimuar. Janë disa vajza që fryjnë buzët që kanë të dashur të fortë me lekë, disa blogerë që tregojnë ujëvara dhe udhëtime turistike dhe natyrisht në krye të listës, personazhet e Big Brother-it. Të gjithë janë të suksesshëm dhe të pashkolluar.
E thënë shkurt: ekonomia shqiptare nuk ka nevojë për njerëz të arsimuar dhe kjo është arsyeja kryesore që sistemi arsimor i Shqipërisë është në gjendje të tillë, si një prodhues diplomash të cilat janë kryesisht kandidat për administratën shtetërore.
Pra mirë që nxjerrim studentë të dobët, por i nxjerrim për shtetin dhe nuk e kemi ende të lidhur ekonominë me nevojën për arsim cilësor.
Arsimimi nuk është I nevojshëm, për t’u përfshirë në jetën ekonomike të vendit dhe si i tillë nuk ka motiv për arsim cilësor. Kur ekonomia jonë të kërkojë studentë dhe të kthejë mbrapsht ata që kanë diploma kot, atëherë universitetet do të reflektojnë për cilësinë arsimore. Derisa ne u kërkojmë universiteteve diploma dhe jo dije, ato nuk kanë ndonjë arsye të nxjerrin studentë të kulturuar domosdoshmërisht.