E pata paralajmëruar Belindin se sinqeriteti i tij i tepruar duke u lavdëruar se bashkë me socialistët kishin arrestuar Veliajn, do t’i kushtonte. Sikur të mos mjaftonte ajo, vazhdoi dhe një ditë më pas filloi të shpërndante urdhra të tjera arresti për dy bashkiakë të tjerë socialistë: Tërmet Peçin dhe Agron Malajn.
Me sa duket këtu e mbushi kupën.
Sali Berisha befas ka shpërthyer ndaj tij, duke akuzuar “ata deputetë të opozitës që sillen si gazetarë të kronikës”, përmes Çim Pekës. Dhe nuk ka faj.
Ai ka një betejë të gjatë, së paku pesëvjeçare, kundër SPAK dhe drejtësisë së re, ndaj të cilëve është konstant duke mos pranuar asgjë, kurse Belindi del që jo vetëm bashkëpunon me SPAK, por madje dhe me kanale brenda socialistëve për të arrestuar socialistë të tjerë.
Sali Berishën më mirë shaje nga mëngjesi në darkë sesa ta lavdërosh SPAK-un dhe të mburresh që ke bashkëpunuar dhe ke plane të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, siç bën Belindi.
Dhe është e gjitha pa sens politik ajo që ka bërë Belindi. Belindi iu gjend Berishës në ditët më të vështira politike, për të rimarrë kontrollin mbi partinë pas shpalljes non grata dhe pastaj, kur ai u përball me drejtësinë për shkak të “non gratës” dhe nisi përpjekjen për ta delegjitimuar drejtësinë e re, ky i hidhet në anën tjetër dhe bëhet me drejtësinë e re.
Po ai, njëqind herë ta fal të bëhesh me Lulin kundër tij sesa të bëhesh me SPAK dhe të bësh sikur je pro tij. Kjo është dhe arsyeja që Berishës i këputën nervat me të sot.
Ky nuk është paralajmërim për Belindin, por për gjithë deputetët e tjerë që bëjnë sikur bashkëpunojnë me drejtësinë e re. Kjo është vijë ndarëse me Berishën. Drejtësia e re mund të fusë në burg gjithë PS-në, madje dhe Edi Ramën, por Berisha nuk ka ndërmend t’ia dijë për nder. Atij i duhet nderi i tij dhe ata ia kanë marrë nderin duke e marrë të pandehur. Ndaj tani deputetët e Berishës janë aty për të ruajtur nderin e tij dhe jo nderin e drejtësisë. Këtë duhet jo vetëm ta kuptojnë mirë, por dhe ta demonstrojnë. Këto sjelljet nëpër ekrane sikur janë zëdhënës të Dumanit mund t’u kushtojnë. Le më pastaj aleanca treshe ku hyjnë klanet socialiste dhe Dumani.
E pata paralajmëruar dy ditë më parë, jo kaq i sinqertë publikisht. Sidomos kur bën si zëdhënës i Dumanit, apo si I dërguar i Trumpit. Je thjesht ushtar i Berishës. Aty rri!