Vllaznia ka nisur një “luftë” me Bashkinë Shkodër, dhe kjo për shkak të një koncerti që do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” nga Bujar Qamili.
Sipas klubit shkodran, ky koncert do të zhvillohet pa autorizim.
Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi dhe klubi kanë ngritur një kallëzim penal për drejtorin e Drejtorisë së Kulturës dhe drejtoreshën e Kulturës.
Xhaferi ka shpërndarë dhe një barcaletë, duke ironizuar Bashkinë.
“A ma jep stadiumin për dasmë, me thirrë teze, halla dhe daja? Humor që e kuptojnë vetëm shkodranët. Ma bafshi natën e mirë”, shkruan presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
“Kjo është pak estradë. Humor shkodran si i themi ne. Jam sponsor i koncertit dhe kam marrë njoftimin nga Bujari (Qamili) personalisht që do bëjë një koncert të madh dhe i kam thënë me kënaqësi. Nuk është krenari vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë që ta mbështesim Bujarin të na japë atë muzikën e bukur. Por ndërkohë që jam sponsor, kjo është edhe pjesa e humorit, nuk isha fare në dijeni se ku do bëhej koncerti. Po flas për klubin në këtë rast, por edhe për Federatën.
Kjo është një situatë e paprecedentë, sepse mesa mbaj mend, në 30 vitet e fundit, stadiumi “Loro Boriçi” nuk është përdorur për ndryshim destinacioni përveç eventeve sportive. Në këtë rast ne po flasim për një ndryshim destinacioni. Nuk është çështja e koncertit të Bujarit, por për një qasje që ka Bashkia e Shkodrës karshi një tempulli që është i të gjithë shkodranëve, nuk është absolutisht i as i Vllaznisë e as i Bashkisë, por i gjithë shkodranëve. Madje i gjithë shqiptarëve, se aty janë luajtur ndeshje të Kombëtares…
Nuk është bërë asnjë event kulturor qëkur është bërë stadiumi i ri. Çështja është që nëse ndërrohet destinacioni, sipas ligjit, duhet që të merret vendimi në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Nga ana e bashkëpunimit që kemi me Bashkinë Shkodër dhe Federatën, duhet minimalisht që të ulen palët dhe ta diskutojnë.
Në kuadër të koncertit, neve na është bërë fakt i kryer. Kemi njoftuar Federatën që këtu do bëhet një koncert. Këtu ka një problem madhor, sepse stadiumi është licencuar që të luajë Vllaznia në Kupat e Europës. Ka disa kritere që Federata ia ka dërguar dhe Bashkisë Shkodër, duke njoftuar që stadiumi duhet përdorur vetëm për evente sportive.
Ne jemi habitur dhe i kemi pyetur se si e kanë marrë këtë iniciativë pa njoftuar klubin. Përgjigja e tyre ishte shumë e thjeshtë, që do bënin koncerte të vazhdueshme, sepse stadiumi është pronë e tyre.
Ne këtë nuk e mohojmë, sepse stadiumi pronë e bashkisë është, ësht5ë pronë e gjithë Shkodrës. Në dy muajt e fundit kemi vënë re që në stadium janë shtuar shumë aktivitetet dhe klubi s’ka dijeni.
Sot kemi çuar një njoftim që nëse do bëhen aktivitete pa u njoftuar me klubin, atëherë ne do vazhdojmë në rrugë ligjore. Dje u mërzitëm kur Bashkia Shkodër e bëri fakt të kryer që do bëhej koncerti.
Ne ndeshjen e parë në Europë e kemi me 10 korrik. Koncerti është më 21 qershor dhe stadiumi nuk rikuperohet dot”, u shpreh Xhaferi për Top Channel.
Por, për Bujar Qamilin kjo nuk ka rëndësi pasi ka në fokus që të dhurojë spektakël dhe jo të merret me politikë.
“Di të them që koncerti do të zhvillohet më datë 21 Qershor në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Po përgatitem së bashku me orkestrën për të dhuruar spektakël. Unë nuk merrem as me politikë dhe asgjë tjetër”-u shpreh Qamili për Newsbomb.al.
Përplasja mes Benet Becit dhe Presidentit të Vllaznisë Alban Xhaferri, për këngëtarin duket se nuk përbën asnjë problem ndërsa u shpreh se kushdo e ka derën hapur për të marrë pjesë në koncert.
Sakaq, Alban Xhaferrin i cili ka dalë kundër realizimit të koncertit, këngëtari shprehet se e ka mik dhe sponsor në recitalin e tij.
“Sa i përket përplasjeve mes Alban Xhaferrit dhe Bashkisë Shkodër, nuk kam asnjë diskutim. Unë Alban Xhaferrin e kam mik dhe sponsor në këtë koncert. Albani dhe kushdo tjetër e ka derën të hapur.
Di të them që shumë më përpara kam marrë ftesën nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe nga Drejtoria e Kulturës shumë kohë më përpara. Kushdo e ka derën të hapur për të ndjekur koncertin. Vllazninë e kam zemër, e kam familje”-tha Qamili.