Edvin Kulluri, në një shkrim në rrjetet sociale, kujton se prej shkurtit, kur u arrestua Erion Veliaj, Tirana është një qytet i braktisur.
Sipas tij, Ramës i intereson kjo gjëndje, por edhe vetë Sali Berishës.
“Por sikur të ishte vetëm mazhoranca e vendosur për të lënë Tiranën pa qeverisje, do ishte gjysma e së keqes.
Opozita vetë, një herë në dy tre javë nxjerr ndonjërin nga anëtarët e këshillit bashkiak që të hedhë ndonjë fjalë nëpër tym për detyrimin ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve.
I vetmi që e ngre zërin më shumë se të tjerët është Këllici që mendon se do e rikandidojë kush përballë dikujt tjetër e jo Veliajt. Duke harruar që edhe me Veliajn në burg, ai bashkë më shokët e tij të listës së mbyllur, humbën në Tiranë më keq se në zgjedhjet për bashkinë.
Megjithatë ëndrrat falas janë, ndaj mirë bën që kujtohet ndonjëherë edhe për zgjedhjet për bashkinë. Sa të përbetohet në versionin tironc autokton te Flamurit për revolucionin e shtatorit, më mirë që flet për këtë punë.
Por duke ditur se asnjë në PD nuk bën asgjë seriozisht pa urdhër nga lart, ai që e ka shitur bashkinë në duart e Ramës realisht është vetë Berisha. Mesa duket një humbje tjetër nuk e mban dot. Dy janë pak, tre janë shumë.
Ndaj nën tingujt e stonuar të këngës “ta shtyjmë sa ta shtyjmë”, as e përmend fare cështjen e zgjedhjeve të pambajtura. Le te humbe pas 2 vitesh, por jo tani! Se mbase harrohet prapë humbja e radhës! Me nje elektorat sklerotik, kjo është harresa më e embël”, shkruan Kulluri.
“Në këto kushte përvec problemit që sjellë në vetvete shkelja e ligjit, halli më i madh është se nuk kujt ti kërkosh llogari sot në kryeqytet.
Rama ka deleguar nja 4 nënkryetarë që nuk I ka votuar askush për të drejtuar punët e qytetit, ndërsa Veliaj mund të thotë “qe baba durët, folni me sulltonin”!
Në këtë pikë ku ka arritur puna, kryeqyteti I Shqipërisë vlen sa një katund I humbur socialist. Atje të paktën kishte ndonjë sekretar partie apo kryetar koperativë që tundte ndonjë medalje “nderi I punës socialiste” apo ndonjë medalje trimërie nga lufta nacional-clirimtare.
Këta nënkryetarët që bëjnë si kryetarë sot ne Tirane, as kanë bërë ndonjë punë të dalluar e as kanë shkrepur ndonjë armë në lufte!
Ndaj të gjithë ata që kanë përgjegjësi për Tiranën e ndërkohë e kanë lënë atë pa bashki, nuk është se e urrejnë qytetin. Thjeshtë nuk u duhet e nuk e duan më shumë se llogaritë e tyre të pushtetit”, vijon ai.