Në Partinë Demokratike po ndodh diçka e çuditshme. Në vend që gara e paralajmëruar për Bashkinë e Tiranës të shihet si një shans politik përballë pushtetit, ajo po shfaqet si një ‘barrë’ që askush nuk e do mbi supe.
Dy nga emrat më të votuar në listën e hapur të PD-së, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, e kanë refuzuar kandidimin. Alimehmeti me argumentin se nuk ka kohë për fushatë, Tabaku me një “jo” të prerë. Këto refuzime flasin më shumë sesa një mijë fjalë për gjendjen në të cilën ndodhet sot opozita.
Një gjë e tillë e ka shndërruar PD në një parti ku figurat politike janë thellësisht të konsumuara, ndërsa ato më qytetare e më të moderuara nuk guxojnë të hyjnë në garë nga frika e kurtheve që mund t’u ngrejë vetë partia e tyre.
Opozitës i mungon jo vetëm vizioni, por edhe guximi, për shkak të klimës toksike që mbizotëron brenda saj.
Në ditët në vijim, nëse në bashkinë Tiranë do të mbahen zgjedhje për kryebashkiak, opozita edhe mund ta gjejë ndonjë figurë për ta përfaqësuar, por hezitimi i deritashëm flet më shumë për gjendjen që mbizotëron në radhët e saj, ku nuk ka as frymë as shpresë dhe as besim.
Sepse përndryshe nuk do të tërhiqeshin të gjithë nga gara më e rëndësishme pas zgjedhjeve të përgjithshme, e cila do të ishte një mundësi e shkëlqyer për një karrierë të sigurt brenda partisë në të ardhmen./nl/TemA