Nga Av. Gurali Brahimllari
Në një opinion të botuar më parë kam evidentuar faktin se Qeveria Franceze nuk ka qenë e sinqertë në parashtrimet e saj para Gjykatës së Strasburgut në çështjen e shtetasve anglez A.L si dhe E.J k. Francës, kur ka pretenduar se ata nuk legjitimoheshin në kërkimet e tyre për kundërshtimin e rezultateve të përgjimeve dhe të hetimeve të kryera në Francë, përderisa nuk kishin ushtruar të drejtën e ankimit para gjykatave franceze (shih Koha Jone; Java News etj dt 26 Korrik 2025). Sikurse dihet GJEDNJ në vendimin e shpallur më 24 Shtator 2024, nuk e zgjidhi në mënyrë përfundimtare çështjen me argumentin se aplikantët nga Mbretëria e Bashkuar, nuk kishin shterur mjetet ligjore të ankimit para gjykatave Franceze, duke pranuar se: “…142. Qeveria (Franceze) tregon … bindshëm se kërkuesit kishin një mjet ankimi që i lejonte ata të kundërshtonin ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e marrjes së të dhënave dhe transmetimit të tyre tek autoritetet britanike për përfshirjen e tyre si provë në dosjen penale.”
Këto rrethanat të parashtruara nga Qeveria Franceze, u konfirmuan si të genjeshtërta nga disa vendime të dhëna prej Gjykatave Franceze gjatë vitit 2025(përfshirë edhe Gjykatën e Kasacionit), sipas të cilave ligji procedurial francez nuk i mundëson asnjë shtetasi që nuk është palë në një proces gjyqësor në gjykatat Franceze, që të kundërshtojë në Francë, vlefshmërinë e hetimeve dhe rezultatet e përgjimeve të kryera nga autoritetet gjyqësore franceze (shih, p.sh, vendimin dt 03.06.2025 në çështjen ECLI:FR:CCASS:2025:CR0081, për ankimin e një shtetasi Belg)
Kjo qasje e re e gjykatave franceze u thellua më tej në vendimin e shpallur në datën 16 Shtator 2025 nga Gjykata e Kasacionit për shkak se ka njohur shkeljen e të drejtës për një mjet ankimi efektiv për të gjitha personat e implikuar në çështjet e SkyECC në Evropë dhe më gjerë të cilët gjenden në ndjekje penale, në paraburgim apo janë duke u gjykuar mbi bazën e transkripteve të përgjimeve të SkyECC. Tashme Gjykata Franceze e Kasacionit duke vënë në diskutim argumentet e Ekipit të Përbashkët të Mbrojtjes së shtetasit gjerman mbi mungesën e origjinalitetit, besueshmërisë dhe legjitimitetit të të dhënave të trasmetuara nga autoritet Franceze, për tu përdorur si prova në procesin që zhvillohet në Gjermani, ka konfirmuar, jo vetëm të drejtën e ankimit efektiv të kërkuesit për kundërshtimin e mënyrës së formimit/mbledhjes së këtyre të dhënave në Francë, por ka theksuar se në një hetim digjital me pasoja ndërkufitare, pala franceze duhet të kishte shoqërohet veprimet e kryera me njoftimin e autoritetve gjqyësore të vendeve të përfshira.
Gjykata Franceze e Kasacionit ka pranuar se “Kjo (procedurë njoftimi) nuk është bërë në rastin e SkyECC” çka bie në kundërshtim me legjislacionin francez.Kujtojmë lexuesin se në nenin 100-8 të K.Pr.Penale Franceze, parashikohet se: “Kur një përgjim i korrespondencës së dërguar nga komunikimet elektronike ka të bëjë me një adresë komunikimi që përdoret në territorin e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe nuk kryhet në kuadër të një vendimi hetimor evropian, gjyqtari hetues ose oficeri i policisë gjyqësore i caktuar prej tij e njofton këtë përgjim tek autoriteti kompetent i atij shteti nëse personi i shënjestruar nga ky përgjim ndodhet në territorin e tij….. Mungesa e njoftimit të parashikuar në paragrafët e parë dhe të dytë përbën shkak për pavlefshmërinë e procedurës vetëm nëse konstatohet se një përgjim i tillë nuk mund të autorizohej, në kuadër të një procedure të ngjashme kombëtare, në zbatim të ligjit të shtetit anëtar, në territorin e të cilit është gjetur personi.”
Prandaj në vendimin (nr. 24-84.262), dt 16/09/2025, Gjykata Franceze e Kasacionit, duke pranuar argumentet e Ekipit të Përbashkët të Mbrojtjes të kërkuesit nga Gjermania, i akuzuar për veprimtari kriminale, kryesisht, mbi bazën e të dhënave të SkyECC, ka vendosur t’i drejtojë një pyetje paraprake Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian lidhur me përputhshmërinë e ligjit francez me të drejtën e Bashkimit Evropian, në përgjithësi dhe në veçanti, me parimin e së drejtës për një mjet juridik efektiv të ankimit.
Konstatojmë se kjo qasje e re e Gjykatë Franceze të Kasacionit, është determinuar edhe nga efektet e vendimit të GJED të dt 30.04.2024, në të cilin, jo vetëm u konfirmua e drejta e të dyshuarve dhe mbrojtjes së tyre për të njohur dhe kundërshtuar procedurën e përfitimit, trasferimit apo marrjes së rezultateve të përgjimeve, në raport me legjislacionin e brendshëm të secilit vend të BE-së, por edhe ka njohur kufizimin e tagrave të autoriteteve të vendeve antare të BE-së, për të mos shtrirë hetimin dhe përgjimin në teritorin e shteteve të tjera, pa njoftimin paraprake të autoritetev të tyre gjyqësore.
Prandaj, mendojmë se, sipas këtij qëndrimi të ri të gjykatave franceze, jo vetëm që pritet të ndryshojë “fatin” e përdorimit të të dhënave të SkyECC në proceset penale, por edhe se do të kete efekt në shqyrtimin e çështjeve tëe ngjashme nga GJEDNJ, për shkak se del zbuluar mashtrimi i qeverisë Franceze në parashtrimet për çështjen e legjitimimit të aplikanteve angleze A.L si dhe E.J k. Francës, të cilët nuk kanë patur asnjë mundësi për të kundërshtuar ligjshmërinë e procesit të kapjes së të dhënave të EncroChat, para Gjykatave Franceze
Kjo qasje e re e Gjykatës Franceze të Kasacionit ka vënë, qartazi, në dyshim, të gjithë praktiken e deritashme te gjykatave të vendeve të ndryshme të BE-së, të cilat kanë përdorur e vijojnë të përdorin transkriptet e dërguara/marra nga autoritet franceze, edhe pse kanë konstatuar mospërputhjen e plotë mes legjislacionit të tyre kombëtar me legjislacionin francez, i cili është pa dyshim, i vetmi legjislacion në Europë (ndoshta edhe në botë) që lejon përgjimin masive të qytetarëve dhe njeh si provë në proceset penale rezultate e përgjimeve.
Edhe sipas njoftimit për shtyp të Ekipit të Përbashkët të Mbrojtjes, rezulton se Gjykata Franceze e Kasacionit e ka evidentuar rëndësinë e interpretimit të këtyre problematikave nga GJEDBE, duke u shprehur se “Interpretimi i kërkuar ka gjasa të ketë pasoja të rëndësishme, si në aspektin e ankimeve të tjera për pavlefshmëri të paraqitura para gjykatave franceze mbi të njëjtën bazë, ashtu edhe në lidhje me procedurat e shumta aktualisht në zhvillim në shtete të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, ku individët mbahen në paraburgim dhe ndjekjet penale bazohen në veçanti në transmetimin, përmes urdhrit evropian të hetimit, të provave të ngjashme me ato të kundërshtuara nga ankuesi në këtë rekurs, të gjitha me origjinë nga e njëjta procedurë e njohur si ‘SkyECC’.”
Anëtarët e JDT që iniciuan këto procedura theksojnë se do ta çojnë deri në fund betejën ligjore me besimin e plotë se kërkesat e tyre do të shpallen të pranueshme dhe se nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së do të konkludohet se në tërësinë e tij, operacioni që siguroi të dhënat e SkyECC nuk është në përputhje as me të drejtën e BE-së dhe as me të drejën franceze (neni 100-8 K.Pr.Penale).
Ndërsa në lidhje me çështjet penale që janë zhvilluar dhe po vijojnë me kërkesën e SPAK, shkelja e të drejtave të personave që janë paraburgosur vetëm mbi bazën e të dhënave të SkyECC, është ulëritëse, për shkak se transmetimi i transkripteve nuk është bërë dhe nuk mund të behej përmes Urdhrit Evropian të Hetimit Penal (për shkak se vendi ynë ende nuk është pjesë e BE-së), prandaj nuk mund të prevalojë parimi i “besimit reciprok” duke i pranuar të ligjëshme përgjimet masive të autoritetev franceze.
Kujtojmë se duke duke u “fshehur” pas parimit të “besimit reciprok”, në shtrëmbërim të koncepteve të Konventës së KiE të vitit 1959 “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në fushen penale”, Gjykatat e Posaçme, edhe në gjykimin e çështjeve në themel kanë bazuar vendimet e fajësisë duke pranuar si prova të ligjëshme përmbajtjen e transkripteve të marra nga autoritet franceze, duke injoruar parimin e ekuivalencës që parashikon Konveta e KiE e vitit 1959, e cila kërkon verifikimin e përputhshmërisë së legjislacionit Francez me legjislacionin e brendshëm të shtetit shqiptar që disiplinon përgjimin e telekomunikimeve, duke pranuar njehresh edhe shkeljen flagrante nga autoritet franceze të parimit të sovranitetit shtetëror.
Madje edhe pse Prokuroria e Posaçme ka dërguar kërkesën për ndihmë juridike për marrjen e këtyre të dhënave (transkripteve të përgjimeve) sipas Konventës së KiE të vitit 1959, (e cila kërkon zbatimin e parimit të ekuivalencës) autoritet gjyqësore Franceze nuk e kanë ekzekutuar letërporosinë me këtë Instrument të aplikuar nga Pala Shqiptare.
Sikurse kemi bërë të ditur, jo vetëm para Gjykatave por edhe në debatet publike, në të gjithë letërprositë e ekzekutuara, autoritet gjyqësore Franceze kanë zgjedhur të aplikojnë Konventën e OKB “Për luftën kundër trafikimit të lëndve narkotike dhe substancave psikotrope” (Konveta e Vjenës 1988), parimi më thelbësor i së cilës, krahës ekuivalencës mes legjislacioneve të vendeve në bashkëpunim ndërkombëtare, është respektimi i sovranitetit territorial të secit shtet d.m.th që hetimi (përgjimi)me pasoja ndërkufitare duhet të shoqërohet me njoftimin e vendeve të përfshira.
Prandaj qasja e re e Gjykatës Franceze të Kasacionit duhet të shoqërohet me reflektim të thellë të SPAK dhe posaçërisht të Gjykatave të Posaçme dhe Kolegjit Penal të Gjyakëts së Lartë të cilat, sipas nenit 32/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nuk mund të japin, për askënd, vendime fajësie “mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjëshme”