Pas gati dy javësh në spital ka ndërruar jetë prifti Kristaq Viso, i cili u rrëzua nga çatia e Kishës së Shën Triadhës në Korçë, më 19 maj, teksa po kryente disa riparime.
Ai u dërgua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda trupore në kokë dhe trup.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur Mitropolia e Shenjtë Korçë përmes një postimi në Facebook.
“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso! Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve!
Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, parajsë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!”, shkruan Mitropolia e Korçës.