Pas temperaturave ekstreme të larta që shqetësuan të gjithë Evropën, në Shqipëri janë rikthyer reshjet e shiu dhe ulja e ndjeshme e temperaturave. Reshjet e dendura të shiut kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit në gjithë vendin.
Në një komunikim për Report Tv, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara thotë se 90% e vatrave në të gjithë vendin janë shuar.
Situata paraqitet më e qetë. Flakët në zonat më problematike, si Vlora, Delvina, Dibra, Korça janë neutralizuar. Zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës, në bashkinë Pustec, është neutralizuar plotësisht, po ashtu edhe zjarret e tjera të mëparshme.
Nga 52 vatra zjarri, vetëm dy janë aktive sot, por pa rrezik për zonat e banuara. Një vatër ndodhet në zonën e tunelit të Skërficës, në bashkinë Gjirokastër, ku ndërhyrja është e pamundur për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë së dendur. Zjarri po monitorohet nga shërbimi zjarrfikës. Vatra tjetër aktive është në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe kullote.
Edhe pse moti sot mbetet i paqëndrueshëm me reshje, për nesër parashikohet kthjellim i plotë, me temperatura që pritet të shkojnë deri në 33°C. Struktura të Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit mbeten në gatishmëri për të monitoruar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve, sidomos në zonat malore.
Prej më shumë se një jave vendi ynë ka qenë nën ‘pushtetin’ e flakëve, veçanërisht në jug të vendit ku situata ka qenë mjaft problematike edhe për shkak të terrenit të vështirë malor. Më 27 korrik në fshatin Kalasë, Delvinë për shkak të situatës kritike dhe rrezikut të djegies së banesave, policia nisi evakuimin e banorëve nga zona.
Ndërsa dje Emergjencat Civile raportuan se rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian ishin në aksion për vendosjen e flakëve nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes publikoi gjithashtu edhe disa pamja të filmuara dronin Bayraktar i cili në këtë periudhë me zjarre thuajse në gjithë vendin, survejon dhe skanon territorin për vatra. Nga pamjet e publikuara në disa zona të vendit, shfaqen helikopterët teksa mbushnin ujë për shuarjen e flakëve.