Kërkesa e PD dhe beteja për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 11 majit po vijon. Pas pretendimeve të PD se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura, po rinumërohen 4 kuti votimi të qarkut të Vlorës.
Duket se alibia e PD ka rënë, pasi në kutitë e qarkut të Vlorës dallohen qartë fletët e votimit të papërdorura që janë të futura brenda një kutie apostafat. Në video shihen qartë fletët e votimit brenda kutive, edhe pse në procesverbale është shënuar gabimisht 0 fletë votimi.
Pas përfundimit të këtij procesi, KAS tha se ishin deklaruar zero në procesverbal, por në kuti u gjetën këto shifra: 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura për secilën kuti të hapur.
Përfaqësuesi i PD Marash Logu pretendoi se në një kuti u gjetën 7 fletë votimi më shumë ndërsa në një tjetër mungonin dy fletë të papërdorura. Ndërkohë që një anomali tjetër sipas është se procesverbali është i një qendre tjetër. Ai parashtroi një tjetër kërkesë për të hapur edhe fletët e votimit të përdorura që të krahasohen me ato të papërdorura. Sipas tij, fletët që janë tepër mund të kenë ardhur nga jashtë si pasojë e trenit bullgar.
Një ditë më parë me kërkesë të 2 anëtarëve të KAS, u vendos që të hapen dhe të këqyren 4 kuti votimi të qarkut të Vlorës, nga një për secilën bashki, Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq. Të 4 kutitë e votimi u përzgjodhën si kampion nga vetë përfaqësuesit e PD-së.
Sipas PD, diferenca mes fletëve të prodhuara dhe atyre të raportuara si të votuara, të papërdorura apo të dëmtuara nuk përputhej. Për këtë, partia i kërkoi përmes një shkrese KQZ-së që të niste menjëherë një hetim administrativ urgjent dhe verifikim të plotë të fletëve në të gjitha kutitë e votimit në rang vendi.
Por KQZ mohoi se kishte mungesë të fletëve të votimit të papërdorura duke sqaruar se diferencat kanë ardhur nga pasaktësi teknike në procesverbalet e disa qendrave të votimit, ku komisionerët kishin shënuar 0 në procesverbal.