Romeo Kara trondit me akuzat për Ilir Metën, Durim Bami do shkundë politikën shqiptare nëse bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më strehë për personat që kryejnë krime dhe i shmangen drejtësisë. Prej rreth një viti, Dubai, që është konsideruar si parajsë për këta persona, po i dëbon, për t’i përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre. Edhe pse pa një marrëveshje zyrtare, nga Dubai prej vitit të shkuar janë ekstraduar 6 shqiptarë. Për disa muaj me radhë, sjellja në Shqipëri e personazheve të botës së krimit ndaloi, për t’u riaktivizuar më 2 maj të këtij viti, me ekstradimin e Florenc Çapjas.
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, në vitin 2012. Krahas këtyre emrave që janë ekstraduar, një listë e gjatë personazhesh pritet të vijë në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë. Mes tyre janë emra të njohur si Durim Bami. Juristi Romeo Kara u shpreh se nëse Bami ekstradohet, Ilir Metës mund t’i hapen shumë probleme. Ai deklaroi se Bami mund të flasë edhe për akuzën që Tom Doshi i bëri Ilir Metës, se ky i fundit ka dashur ta vrasë. “Unë mendoj kam bindje bile të plotë absolute që ka pasur të drejtë Tom Doshi kur ka akuzuar Ilir Metën atëherë se ka dashur ta vrasë. Kështu që po foli po foli Durim Bami kemi mundësinë ta vërtetojmë dhe atë”, tha ai.
ProfitSence Logo
Çfarë di Durim Bami?
Në 3 mars të 2015, Durim Bami është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Pas arrestimit ai tha se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin. Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”. Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami u hetua për vrasjen e Artan Santos, dhe rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafukën.
Vrasja e Artan Santos
Në prapaskenat e kësaj ngjarjeje tronditëse, fshiheshin interesa të ndërlikuara që përfshinin një treshe të rrezikshme: politikën, botën e biznesit dhe krimin e organizuar. Nuk ishte një krim i rastësishëm apo impulsiv ishte një vrasje e planifikuar dhe e kontraktuar, ku urdhëruesit dhe ekzekutorët kishin role të qarta dhe të ndara. Asokohe ‘Banda e Niklës’ u vu nën akuzë dhe siç konstatohet në dosjen hetimore, dy prej pjesëtarëve të këtij grupi janë mbajtur nën vëzhgim. Bëhet fjalë pikërisht për Durim Bamin dhe Marklen Hakën. Më pas, policia ushtroi kontrolle edhe në një zonë të njohur si baza e disa prej personazheve më të lakuar të botës së krimit, ku ishte e qartë se të implikuar ishin personazhe që e njihnin mirë territorin.
Referuar dosjes hetimore, prokuroria ka pasur të dyshuar edhe ‘Mbretin e lojërave të fatit’, Ervis Martinajn. Gjatë kontrolleve në disa magazina në zonën e Fushë-Kuqes, u gjetën dy skafandra, që u dyshua se i përkisnin ekzekutorëve të Artan Santos. Disa familjarë të Martinajt u shoqëruan dhe u morën në pyetje, por u lanë të lirë dhe prokuroria mbylli hetimet për Ervis Martinajn duke mosprovuar implikimin e tij në këtë ngjarje. U mor në pyetje edhe Kujtim Çela, vëllai i baronit të drogës Gëzim Çela. Dhjetëra forca policie zbarkuan në Fushë-Kuqe duke ushtruar pika kontrolli pas dyshimeve se vrasësit e Santos u strehuan aty.
Sipas informacioneve zyrtare, personi që ka kryer qitjen është rrëmbyer dhe më pas është zhdukur. Bëhet fjalë për Enver Stafukën, një personazh i përfshirë në dhjetëra vrasje. Ishin pikërisht familjarët e Enver Stafukës që bënë përgjegjës kryesor Durim Bamin për zhdukjen e tij. Bami njihet si një prej krerëve të bandës së Niklës. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, Fushë-Kuqja nuk ka qenë bazë e vetëm Ervis Martinajt, por edhe e Durim Bamit. Ky personazh kishte nën patronazh një grup qitësish nga zona e Fushë-Kuqes e deri në Nikël të cilët i trajnonte në një moshë fare të re.